Prej kohësh në Kosovë ka nisur një fushatë kundër një udhëzimi të vitit 2014 të ministrisë së arsimit që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa tha se në vend nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, të paktën pas moshës 16-vjeçare, shtoi se së shpejti ata do të dërgojnë në kuvendin e Kosovës për shqyrtim projektligjin për liritë fetare.

“Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve por duhet të jemi të lirë, mirëpo gjithashtu kam thënë që mosha 16- vjeçare duhet të jetë pragu, dhe moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur dhe që do të duhej të ndodhin”, tha Kurti.

Udhëzimi i vitit 2014 që prej kohësh ka qenë një objekt diskutimi, po kërkohet me ngul të ndryshohet së fundmi nga ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, juristi Durim Berisha i cili i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ  dhe aktivisti Liridon Kurti, i cili thotë se fushata e tyre po merr një mbështetje të madhe.

Sipas tij, nëse brenda 45 ditësh ministria e arsimit nuk e trajton kërkesën, ata do të ngrenë një padi ndaj këtyre të fundit.

Çështja e lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, është një nga temat që sjellë shumë debat në Kosovë.

Top Channel