Ndryshimet klimatike, agresioni kundër Ukrainës dhe pandemia shkaktojnë stres të rëndësishëm psikologjik tek të rinjtë. Por ndjeshmëria ndaj krizave ofron gjithashtu mundësi.
Të rritesh në një botë digjitale nuk do të thotë thjesht të ndihmosh prindërit të përdorin teknologjinë. Kjo bën edhe që t’i përjetosh thuajse çdo sekondë në celularin tënd inteligjent fatkeqësitë e kësaj bote.
“Ne jetojmë në një vend të pasur me shumë mundësi. Shumë kriza nuk na prekin aq afër sa mendojmë ndonjëherë. Por gjithçka që ndodh, ne mund ta shohim në kohë reale. Është një përmbytje që bie mbi ne, me të cilën shumë janë të mbingarkuar “, thotë Konstantin Knorr. 17-vjeçari është e përfshirë në këshillin rinor të Fondacionit Brezat. Ai e ndalon me vetëdije vërshimin dërrmues të informacionit. Shumë të rinj kanë filluar të anashkalojnë gjithçka, mendon ai.
Shumë e përjetuan ndikimin e krizave në shëndetin e tyre mendor gjatë pandemisë. Sipas sondazhit “Jugend in Deutschland” (Rinia në Gjermani), ngarkesa mendore e të rinjve të moshës 14 deri në 29 vjeç është rritur vitet e fundit. “Veçanërisht gjatë pandemis së koronas të rinjtë ndjenin se kishin pësuar një humbje të kontrollit,” shpjegon Klaus Hurrelmann, studiues i arsimit në Berlin.
Rritje e ngarkesës mendore
Pothuajse gjysma e të anketuarve në sondazhin e fundit në mars thanë se vuanin nga stresi. Një e treta u ankua për mungesë motivimi, rraskapitje, pafuqi dhe mungesë humori. Kjo ngarkesë e madhe është e pazakontë në këtë formë për brezin e ri, sipas Hurrelmann-it.
Te rinj ne Gjermani
Sipas një studimi të Universitetit të Lajpcigut, koha e pritjes për një vend në terapi për fëmijët dhe adoleshentët është rritur me tre deri në gjashtë muaj gjatë pandemisë. Në zonat rurale, koha e pritjes është edhe mbi një vit. Një sondazh i fondit të sigurimeve shëndetësore DAK tregon se në vitin 2021 – krahasuar me vitin 2020 – në klinika janë pranuar për çrregullime emocionale, përfshirë depresionin dhe çrregullimet e ankthit 42 për qind më shumë të rinj të moshës 12 deri në 18 vjeç.
Charlotte Schmiedel përshkruan me pak fjalë se si është të rritesh gjatë gjithë këtyre krizave: “zhgënjyese, dëshpëruese dhe e pafuqishme”. Kur angazhohen të rinjtë, kjo nuk është për hobi, por për nevojë të vërtetë, thotë 18-vjeçarja. Që në klasën e gjashtë, ajo u përfshi në politikën arsimore dhe tani përfaqëson interesat e nxënësve të qytetit hanseatik si presidente e “Dhomës së Nxënësve në Hamburg”.
Ajo kritikon se ka shumë pak mbështetje, shumë pak hapësirë për të mësuar aftësi për të përballuar krizat dhe pasojat mendore. Në vend të kësaj, ka programe të reja arsimore me më shumë materiale për të mësuar.
Menaxhimi i stresit mund të mësohet
Ajo që të rinjtë duan shpesh është mbështetja sociale dhe psikologjike. Përveç kujdesit në spitale, mbi të gjitha nevojitet më shumë parandalim, si përmes qendrave rinore dhe psikologëve shkollorë, beson Christoph Correll, drejtor i Klinikës për Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në spitalin Berlin Charité. Ai drejton një studim ndërkombëtar të faktorëve të rrezikut dhe atyre mbrojtës gjatë pandemisë së kovidit.
Ajo që del nga rezultatet e hershme është se adoleshentët, ashtu si edhe të rriturit i rendisin ushtrimet fizike, pra aktivitetin fizik, si një nga strategjitë kryesore të përballimit. Por sporti nuk është e vetmja gjë që mund të ndihmojë në situata stresuese.
Mënyra se si i trajton këto kriza një person është individuale. Rezilienca – pra rezistenca psikike – ndryshon shumë, por mund të trajnohet. “Fakti që fëmijët mësojnë që në moshë të re të përballen mirë me stresin dhe situatat e vështira mund të ketë një efekt parandalues”, thotë studiuesja e elasticitetit Isabella Helmreich nga Instituti Leibniz për Kërkimin e Reziliencës në Mainz. Kjo mund të bëhet nga çerdhe, shton ajo.
“Destigmatizimi i problemeve mendore”
Çdo krizë ofron gjithashtu mundësinë për ta kapërcyer atë dhe për t’u ndjerë më të fortë më pas, shpjegon psikiatri Correll, i cili shton: “Ne të gjithë jemi të prekshëm dhe kemi të drejtë të flasim për faktin se nuk jemi mirë, se nuk ndihemi mirë në shkollë dhe se e kemi të vështirë të strukturojmë veten”.
Sipas Correllit, kërkimi i ndihmës profesionale në një krizë është pjesë e shëndetit mendor, ashtu si ecja në natyrë, meditimi ose dëgjimi i muzikës. “Pandemia ka në vete edhe mundësinë për të na lejuar të destigmatizojmë problemet mendore, sepse i përket paksa të gjithëve”, thotë ai.
Situata ekonomike është përcaktuese për ndjenjën e krizës
Stresi psikologjik tashmë është i dukshëm. Kufizimet – të tilla si mbyllja e shkollave, kufizimi i kontaktit ose heqja e ofertave të kohës së lirë – kanë prekur veçanërisht ata që tashmë ishin në disavantazh social para pandemisë. “Kemi një nënton të fortë të pabarazisë sociale,” sipas Hurrelmann-it.
Sipas vlerësimeve të ekspertit të arsimit, një e katërta e të rinjve të moshës 14 deri në 29 vjeç rrezikojnë të humbasin lidhjen me shoqërinë. Pjesë e tij janë kryesisht personat me nivel të ulët arsimor dhe prindër të pafavorizuar ekonomikisht, gjë që është e lidhur ngushtë.
Shanset për trajnim dhe punësim janë vendimtare për t’i kaluar mirë këto kriza. Ne duhet të investojmë në këtë fushë. Kriza më e keqe që mund të prekë të rinjtë është gjithmonë një krizë ekonomike, thotë Hurrelmann. Situata e mirë ekonomike – edhe për faktin se të rinjtë janë kaq të kërkuar në tregun e punës – bën të mundur zbutjen pjesërisht të konstelacionit aktual të krizave.
Ndjeshmëria mund të jetë forcë
Sipas sondazhit “Jugend in Deutschland”, gjendja bazë shpirtërore e të rinjve është pozitive pavarësisht nga presionet psikologjike. Dhe të qenit i ndjeshëm ndaj krizës nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Sigurisht, ndjenja e rraskapitjes, e pafuqisë dhe e ngarkesës psikike është më e fortë tek femrat e reja, por në të njëjtën kohë janë ato që janë më aktivet, shpjegon Hurrelmann. Kjo doli në pah në përballjen me gjendjen klimatike. “Rrallëherë e kemi parë këtë aktivizëm – domethënë reagimin konstruktiv ndaj një krize duke ndërmarrë veprime vetë – që buron kaq fuqishëm nga femrat e reja.” Është historikisht e re në këtë formë.
Të rinjtë dëshirojnë para së gjithash të merren seriozisht në politikë me propozimet e tyre. “Një pikë shumë vendimtare është të mos veprosh në kurriz të brezave të ardhshëm,” thotë Konstantin Knorr, 17 vjeç, një anëtar i këshillit rinor të Fondacionit Brezat.
Charlotte Schmiedel gjithashtu dëshiron që politika të marrë më shumë përgjegjësi. Në fund të fundit, janë të rinjtë si ajo që duhet të jetojnë me pasojat e veprimeve të brezave të vjetër./ Deutsche Welle
Top Channel