Zyrtarët federalë po thonë pak deri më tani për kontrollin e FBI-së të së hënës në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida, por zoti Trump dhe një nga djemtë e tij kanë thënë se veprimi është pjesë e një hetimi për heqjen nga zoti Trump të dokumentave zyrtare nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërsa një kontroll i tillë i banesës së një ish-presidenti amerikan është i paprecedentë, hetimet për heqjen ose mbajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, janë më të zakonshme.
Persona të tjerë që janë ndjekur penalisht dhe që kanë pranuar fajësinë ose janë dënuar përfshijnë punonjës të Departamentit të Mbrojtjes, kontraktorë të mbrojtjes dhe punonjës ose kontraktorë të FBI-së, CIA-s dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
Më poshtë është një listë e disa rasteve të njohura:
Prill 2005 – Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Sandy Berger u shpall fajtor për heqjen e vetëdijshme të dokumenteve të klasifikuara nga Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve. Zoti Berger pranoi se kishte fshehur dhe hequr pesë kopje të një dokumenti të klasifikuar nga Arkivat në shtator dhe tetor të vitit 2003.
Zoti Berger pranoi gjithashtu fshehjen dhe heqjen e shënimeve të shkruara me dorë në kundërshtim me politikën e Arkivave. Në shtator të vitit 2005, zoti Berger u urdhërua të paguante një gjobë prej 50,000 dollarësh dhe të mos kishte leje të sigurisë për tre vjet.
Mars 2013 – Nënkoloneli në pension Benjamin Pierce Bishop u arrestua në Hawaii dhe u akuzua për mbajtje të paligjshme të dokumenteve në lidhje me mbrojtjen kombëtare dhe komunikim të qëllimshëm të informacionit të mbrojtjes kombëtare tek një person që nuk kishte të drejtë të merrte një informacion të tillë. Dokumentet e gjykatës pretendonin se zoti Bishopi, i cili punonte për një kontraktues të mbrojtjes, kishte 12 dokumente që përmbanin informacion të klasifikuar në rezidencën e tij. Më tej, dokumentet pretendojnë se zoti Bishop ia komunikoi me dashje atë informacion një gruaje 27-vjeçare kineze me të cilën ai kishte një lidhje.
Zoti Bishop u shpall fajtor në mars të vitit 2014. Ai u dënua me më shumë se shtatë vjet burg dhe tre vjet lirim të mbikëqyrur.
Mars 2015 – Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s, u shpall fajtor për akuzën e heqjes dhe mbajtjes së paautorizuar të materialit të klasifikuar. Akuza pasoi zbulimet se zoti Petraeus ndau disa nga materialet me biografen dhe të dashurën e tij.
Zoti Petraeus u dënua me dy vjet burg me kusht dhe një gjobë prej 100,000 dollarësh.
Korrik 2015 – Rezervisti i Marinës amerikane, Bryan Nishimura, u dënua me dy vjet burgim me kusht dhe 7,500 dollarë gjobë pasi u shpall fajtor për shkarkimin dhe ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga periudha e dislokimit të tij në Afganistan në 2007-2008 në pajisjet e tij personale. Në një kontroll në shtëpinë e tij në maj të vitit 2012-ës u gjetën materiale të shumta të klasifikuara, si në formate digjitale ashtu edhe në ato të shtypura.
Gusht 2016 – Ish-kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Harold Martin, u arrestua për atë që prokurorët federalë e përshkruan si një vjedhje të informacionit top-sekret të qeverisë që ishte “marrë në një shkallë të gjerë dhe një kohëzgjatje shumë vjeçare”.
Sipas një deklarate nga Departamenti i Drejtësisë, zoti Martin u padit në shkurt të vitit 2017 me akuzën e vjedhjes dhe mbajtjes së dokumentave të klasifikuara dhe materialeve të tjera. Departamenti më tej pretendoi se zoti Martin “vodhi dhe mbajti” dokumente shumë sekrete gjatë një periudhe 20 vjeçare, duke i mbajtur ato në shtëpinë e tij dhe në automjetin e tij.
Sipas aktakuzës, dokumentet e vjedhura dhe të mbajtura nga zoti Martin përmbanin informacione të planifikimit të Agjecisë së Sigurisë Kombëtare dhe informacion mbi objektivat e grumbullimit së inteligjencës. Dokumentet e tjera, nga Komanda Kibernetike e SHBA-së, përmbanin informacion mbi aftësitë ushtarake të SHBA-së, disa për t’u përdorur në operacione specifike dhe dokumente për boshllëqet në aftësitë kibernetike të SHBA-së.
Harold Martin u shpall fajtor për ruajtjen e qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare në mars 2019. Në korrik 2019, zoti Martin u dënua me nëntë vjet burg, pasuar nga tre vjet lirim të mbikëqyrur.
Janar 2017 – Ish-kontraktori i mbrojtjes dhe marinsi Weldon Marshall u arrestua për mbajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, të ruajtur në disqe kompakte dhe disqe kompjuterike që ai mbante në shtëpinë e tij në Teksas. Informacioni përfshinte dokumente të klasifikuara nga koha e tij me Marinën e SHBA dhe nga koha e tij si kontraktor i mbrojtjes në Afganistan.
Zoti Marshall u shpall fajtor në mars 2018. Ai u dënua në qershor 2018 me më shumë se tre vjet burg, i ndjekur nga një vit lirim i mbikëqyrur.
Janar 2018 – Ish-oficeri i CIA-s Jerry Chun Shing Lee, i njohur gjithashtu si Zhen Cheng Li, u arrestua me akuzën e ruajtjes së paligjshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Prokurorët pretenduan se Lee, ndërsa qëndronte në hotele në Hawaii dhe Virxhinia, kishte në posedim dy libra të vegjël që përmbanin shënime të shkruara me dorë që përfshinin emrat e vërtetë dhe numrat e telefonit të agjentëve dhe punonjësve të fshehtë të CIA-s, shënime operacionale nga takimet e agjentëve, vendndodhjet e takimeve operacionale dhe vendndodhjet e objekteve të fshehta.
Zoti Lee u padit në maj 2018 për dy akuza për mbajtje të paligjshme të dokumenteve në lidhje me mbrojtjen kombëtare, si dhe një akuzë për komplot për t’i dhënë informacione të mbrojtjes kombëtare një qeverie të huaj.
Lee u deklarua fajtor dhe u dënua në nëntor 2019 me 19 vjet burg për komplot për të komunikuar, shpërndarë dhe transmetuar informacione të mbrojtjes kombëtare tek Kina.
Maj 2018 – Ish-kontraktori i CIA-s Reynaldo Regis u shpall fajtor për akuzën e heqjes dhe mbajtjen e paautorizuar të materialeve të klasifikuara, si dhe për dhënien e deklaratave të rreme për oficerët federalë të zbatimit të ligjit. Prokurorët thanë se gjatë kohës së tij në CIA, zoti Reyes kreu kërkime të paautorizuara në bazat e të dhënave të klasifikuara dhe kopjoi informacionin në dhjetëra fletore, të cilat më pas i mori në shtëpi.
Në nëntor 2018, Reyes u dënua me 90 ditë burg. Avokati i tij më vonë i tha agjencisë Associated Press dhe mediave të tjera se klienti i tij “nuk kishte asnjë qëllim. Ishte thjesht një gabim”.
Gusht 2019 – Ish-punonjësja e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) Elizabeth Jo Shirley u arrestua në Mexico City nën akuzën e rrëmbimit të fëmijës së saj 6 vjeçare dhe më vonë u akuzua për mbajtjen e dokumenteve sekrete në pajisjet e saj elektronike, si në Meksikë ashtu edhe disa të ruajtura në shtëpinë e saj në Virxhinia Perëndimore.
Prokurorët argumentuan gjithashtu se zonja Shirley kërkoi t’i ofronte informacionin qeverisë ruse. Në korrik 2020, zonja Shirley u shpall fajtore për akuzën e mbajtjes së qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe për një akuzë për rrëmbim ndërkombëtar. Ajo u dënua në janar të vitit 2021 me më shumë se tetë vjet burg për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Ajo u dënua gjithashtu me tre vjet burg për akuzën e rrëmbimit.
Qershor 2020 – Hetuesit kryen një kontroll në shtëpinë në Hawaii të Asia Janay Lavarello, një punonjëse e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, pas kthimit të saj nga një detyrë e përkohshme në Ambasadën e SHBA në Manila. Hetuesit gjetën dokumente, shkrime dhe shënime të shumta të klasifikuara në lidhje me mbrojtjen kombëtare apo marrëdhëniet me jashtë dhe thanë se dokumentet – që u panë për herë të parë nga të ftuarit në një darkë të organizuar nga zonja Lavarello – nuk ishin transportuar me zarfa të sigurisë diplomatike, siç kërkohej.
Zonja Lavarello u deklarua fajtore për heqjen me vetëdije të informacionit të klasifikuar në korrik 2021. Ajo u dënua në shkurt 2022 me tre muaj burg dhe 5,500 dollarë gjobë.
Maj 2021 – Kendra Kingsbury, një punonjëse në divizionin e FBI-së në Kansas City, u padit me dy akuza për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve në lidhje me mbrojtjen kombëtare. Dokumentet e gjykatës argumentojnë se zonja Kingsbury mori materiale të ndjeshme dhe dokumente të klasifikuara nga vendi i saj i punës për një periudhë prej më shumë se 12 vjetësh dhe i mbajti në shtëpinë e saj. Një nga dokumentet përfshinte informacione për anëtarët e al-Kaidës në Afrikë, përfshi ato të një bashkëpunëtori të dyshuar të themeluesit të al-Kaidës, Osama bin Laden./VOA
Top Channel