Pas kërkimesh intensive në lumin Seman është gjetur i pajete trupi i 14-vjeçarit i identifikuar si Ergus Sakaj në fshatin Suk 1 në Roskovec.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, kur të afërmit kanë gjetur në vendin ku i mituri po peshkonte në lumin Seman vetëm pak metra larg banesës, sendet e tij personale.

Menjëherë të alarmuar kanë lajmëruar banorët e zonës dhe policinë të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë filluar kërkimet për gjetjen e trupit të 14-vjeçarit teksa kanë vendosur edhe rrjeta përgjatë rrjedhës së lumit në mënyrë që trupi i pajetë të mos përfundojë në det.

Banorët tregojnë se 14-vjeçari vjen nga në familje me vështirësi të mëdha ekonomike dhe me probleme shëndetësore.

Tre vjet më parë i ati, Nevruz Sakaj, ndërroi jetë nga koronavirusi, teksa tragjeditë në këtë familje kanë filluar 12 vjet me parë kur një nga 5 fëmijët e familjes, u mbyt në moshën 7-vjeçare duke peshkuar në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtin vend si vëllai tjetër i tij i cili u gjet paraditen e sotme i pajetë nga polumbarët e Reneas dhe banorët , rreth 1000 metra larg vendit ku iu gjeten sendet personale.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm polumbarët e Reneas dhe banorë të ndarë në grupe dhe shërbimet e stacionit të policisë Roskovec, vijuan kërkimet duke bërë të mundur gjetjen e trupit të pajete të të miturit.

Banorët shprehen të shokuar nga kjo ngjarje e përsëritur në të njëjtën familje teksa tregojnë se i mituri ishte një djalë punëtor dhe shpeshherë e punësonin për ta ndihmuar ekonomikisht teksa theksojnë se peshkimin përveçse pasion të trashëguar nga i ati e shihte dhe si një mënyrë mbijetese.

Familja Sakaj është e vetmja familje në këtë zonë e cila ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe trajtohej me ndihmë sociale nga bashkia deri pak kohë më parë kur kjo ndihmë u ishte ndërprerë duke ua bërë jetesën edhe me të vështirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA