BE-ja pret përgjigje “të shpejta” mbi “draftin final” të marrëveshjes bërthamore me Iranin

09/08/2022 18:01

Bashkimi Evropian tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani mund t’i përgjigjen “shumë shpejt” një “draftit final” për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së dhe koordinatori i negociatave, Josep Borrell, tha se drafti prej 25 faqesh u është dorëzuar kryeqyteteve të përfshira në proces.

Peter Stano, zëdhënësi i Borrellit, u tha gazetarëve më 9 gusht se teksti është përfundimtar dhe se “është momenti për një vendim: po ose jo”. “Dhe ne presim që të gjithë pjesëmarrësit ta marrin këtë vendim shumë shpejt”.

Nuk ka më hapësirë për negociata, shtoi Stano.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA-ja është e gatshme të “përfundojë shpejt një marrëveshje” për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015, bazuar në propozimet e BE-së.

Zëdhënësi tha se Uashingtoni pret të shohë nëse “veprimet e Teheranit përputhen me fjalët e tyre” pas sinjaleve të përsëritura se zyrtarët iranianë mund të mbështesin marrëveshjen.

Irani tha se po e shqyrton draftin mes “diskutimeve më gjithëpërfshirëse në Teheran”.

Negociatorët nga Irani, SHBA-ja dhe BE-ja rinisën bisedimet indirekte lidhur me marrëveshjen bërthamore më 4 gusht. Rundi i ri u zhvillua pas disa muajsh ngecje të bisedimeve.

Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore më 2018. Pas kësaj, Irani nisi që gradualisht të tërhiqet nga obligimet e marrëveshjes, duke pasuruar uraniumin.

Irani arriti marrëveshjen bërthamore më 2015 me SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Britaninë, Rusinë dhe Kinën. Marrëveshja kufizonte pasurimin e uraniumit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA