Përveç opozitës, edhe kryetarë të komunave dhe shoqëria civile kërkojnë nga Qeveria e Kosovës zhbllokimin e buxhetit për komunat ose publikimin e Qarkores së dytë Buxhetore.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini thotë për KosovaPress se vonesa e lëshimit të Qarkores së dytë buxhetore shkakton probleme në përgatitjen e buxhetit për vitin 2023.

Kryetari Gjini tha se komunat po rrezikohen të mbesin pa buxhet. Derisa në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk janë përgjigjur për Kosovapress, se kur pritet të lëshohet kjo qarkore ose pse nuk është publikuar deri tani.

“Patjetër që mund të shndërrohet në problem, për shkak se sivjet kemi pasur vonesa për buxhet. Ndërsa, nëse vonohet, mund të ketë vonesa për buxhetin e vitit 2023, këto mandej shkaktojnë edhe vonesa për gjithçka tjetër… A mund të rrezikohet komunat për Buxhet? Patjetër. Megjithatë ende ka kohë, mendoj se mundet me ndodhur këto ditë, brenda afateve optimale qarkorja e dytë, mirëpo nëse vonohet patjetër se na nxjerrë problem”, thotë Gjini.

Hulumtuesi në Iniciativa për Progres (INPO), Diell Haxhimusa ka ftuar Ministrinë e Financave që sa më parë të publikojë Qarkoren e dytë buxhetore, për arsye se kjo lidhet ngushtë me funksionimin e mirëfilltë të komunave për buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Ftoj ministrinë që sa më shpejt të publikojë qarkoren e dytë, për arsye se lidhen ngushtë me funksionimin e mirëfilltë të komunave për buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas ligjit, më 1 shtator bëhet votimi në asambletë komunale për buxhetin e ardhshëm dhe gjithçka përfundon aty me komunën. Ndërsa, tash jemi në gusht, mirëpo Ministria ende nuk e ka publikuar qarkoren e dytë për komunat”, thekson ai.

Hulumtuesi Haxhimusa ka treguar edhe pasojat që mund të dalin në realizimin e projekteve.

Sipas tij, edhe vitin e kaluar është publikuar me vonesë Qarkorja e dytë, më 12 gusht, për çka ka pasur probleme në konsolidimin e buxheteve të tyre.

“Si pasojë e kësaj vonese, komunat mund të fusin projekte të paplanifikuara mirë ose mund të bëjnë veprime të paplanifikuara mirë, të cilat bien ndesh me ligjin për planifikimin e projekteve, të cilat nuk janë reale me nevojat e qytetarëve. Këto ndryshime pastaj mund të prodhojnë pasoja për vitin e ardhshëm,” thotë ai.

Gjatë ditës ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se për inate politike Qeveria Kurti po i sjell qytetarët dhe komunat e Kosovës buzë kolapsit, duke bllokuar buxhetet dhe projektet investive të tyre.

“Tani, nëse Qeveria nuk e merr parasysh kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës për ta lëshuar Qarkoren e dytë Buxhetore sa më parë para datës 1 shtator, në afatin e paraparë kur komunat duhet ta dorëzojnë buxhetin për miratim në Kuvendet e Komunave – ajo me qëllim po e zvarritë realizimin e shumë projekteve në interes të qytetarëve anekënd Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, dje ka kërkuar urgjentisht nga ministri i Financave dhe Tranfereve Hekuran Murati që të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore, e cila iu mundëson komunave të Kosovës të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

“Si proces është shumë i vonuar dhe i rrezikon komunat të mos kenë mundësi teknike ta dorëzojnë buxhetin me kohë pranë Kuvendeve të Komunave, me saktësisht më datën 1 shtator që është obligim ligjor që buxheti t’i dorëzohet Kuvendit të Komunës”, thuhet në reagim.

Po ashtu, potencohet se mos dorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator i kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës dhe si i tillë i penalizon komunat nga përfitimet financiare nga granti i performancës./KosovaPress

Top Channel