Rabie Hoxha 65 vjeç dhe i biri prej 20 ditësh e kalojnë natën jashtë në oborrin e shtëpisë së tyre të djegur në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës. 

Banesa një katëshe që ishte e amortizuar prej vitesh u përfshi nga flakët e shkaktuara nga një furnelë gazi për gatim që ishte harruar e ndezur në njërën prej dy dhomave.

Djegja e banesës e ka thelluar edhe më tej dramën e familjes Hoxha që jeton vetëm me të ardhurat prej shitjes së sherbelës dhe bimëve të tjera medicinale.

Djali i Rabies vuan prej vitesh nga një formë kronike e hepatit dhe mjekohet vazhdimisht për ta mbajtur gjendjen të stabilizuar. Megjithëse i paaftë për punë ai shpenzon më shumë se 10 orë në ditë në shpatet e maleve përreth për të grumbulluar bimë që të sigurojnë jetesën.

Për familjen Hoxha ende nuk është ofruar një zgjidhje për strehimin ose të jetë kryer ndonjë vlerësim i dëmit të shkaktuar nga zjarri por burime nga bashkia Gjirokastër bëjnë me dije se këshilli bashkiak pritet të miratojë në mbledhjen e radhës një fond mbështetjeje emergjente për të përballuar qeranë e një banese që gjithsesi do ta linte familjen Hoxha në situatë kritike pasi ata kanë humbur gjithçka prej zjarrit.

Në zjarr thotë Rabia u dogjën edhe kujtimet, paratë, orenditë e veshjet.

Banesa një katëshe duhet rindërtuar para dimrit por ky vlerësim do të duhej të kryhej nga Emergjencat Kombëtare.

Rastet e banesave të djegura aksidentalisht në qarkun e Gjirokastrës janë të paktën 6 gjatë vitit të fundit. Në dy prej rasteve përveç shkatërrimit të pronës zjarret kanë shkaktuar edhe viktima.

 

Top Channel