Stambolli, një qytet i madh e me histori të pasur, me 17 milionë banorë popullsi, midis dy deteve dhe dy kontinenteve, zakonisht nuk mendohet si një vendpushim bregdetar.

Pra është ndryshe nga Nju Jorku, Bejruti dhe një pjesë e vogël e kryeqyteteve të tjera, ku mund të notosh gjatë gjithë verës. Por së fundmi një rritje e popullaritetit në plazhe i është atribuar një krize ekonomike që ka bërë që çmimet e konsumit të rriten me 80 për qind në një vit.

“Uji është i pastër, natyrisht ndryshon në varësi të motit, në varësi të rrymave, ndonjëherë është pak i turbullt. Por për një qytet gjigant si Stambolli, një det si ky nuk është keq“, thotë Metin Cakmakci.

“Nuk kam parë kurrë një turmë të tillë si këtë vit, njerëzit kanë vështirësi të gjejnë shezlongë, as bashkia nuk e ka parashikuar këtë numër të madh plazhistësh. Njerëzit nuk kanë para, nuk shkojnë me pushime, jemi në një gjendje krize, një depresion ekonomik. Prandaj shumë nga ne zgjedhin të vijnë këtu”, rrëfen Canan Civan.

“Mendoj se është privilegj të notosh në Stamboll. Sepse futesh në det midis dy kontinenteve. Nga këtu, kur jam në ujë, shikoj drejt Evropës dhe përballë Azisë. Kjo nuk ekziston askund tjetër në botë”, shprehet për AFP-në, Eren Tor.

Në këto ditë të nxehta, autoritetet në Stamboll kanë shtuar me qindra shezlongë shtesë, por numri i lartë i njerëzve që kanë zgjedhur të bëjnë plazh aty i ka kaluar pritshmëritë e tyre.

Top Channel