Mbi 20 mijë bileta në natën e parë të “Sunny Hill”/ Dua Lipa, Elvana Gjata, Ylli Limani e artistë të tjerë ndezën skenën në Parkun e Gërmisë

05/08/2022 12:35

Në orët e mbrëmjes hyrja për në Parkun e Gërmisë ishte e stërmbushur nga qytetarët që kishin marrë biletat për Sunny Hill, një nga festivalet e muzikës më të mëdha në rajon.

Të shumtë ishin ata që kishin shkuar për t’u kënaqur nën atmosferën që jep tash e tre edicione ky festival i muzikës, që mbledhë edhe artistë të shumtë.

Në skenën e “Sunny Hill” natën e parë të këtij festivali u ngjitën disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare, që publikut i dhuruan disa prej performancave të tyre më të mira.

Megjithatë, ngjarja kryesore e natës ishte ylli botëror i muzikës, Dua Lipa që pas dy vjetëve u rikthye në Prishtinë.

Për më shumë se një orë, brenda parkut të Gërmisë, Dua Lipa u dha kosovarëve performancën që po e jep në mbarë botën me turneun e saj. Kjo ka bërë që përgjatë këngëve të Lipas edhe publiku të këndojë me të.

Në festivalin që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, sipas stafit të “Sunny Hill” kanë marrë pjesë mijëra njerëz. Nga fondacioni kanë njoftuar se janë shitur 20 mijë bileta.

Festivali “Sunny Hill” do të jetë edhe për tri ditë të tjera në Prishtinë, për të vazhduar pastaj në Tiranë në fund të muajit, ku do të performojnë edhe artistë të huaj si J Balvin, Skepta e Diplo.

Top Channel