Arjan Tase, ish-shefi i komisariatit të Himarës, që përplasi për vdekje 7-vjeçaren në plazhin e Potamit u la në arrest me burg nga gjykata e Vlorës, pas disa orësh seancë.
Ndaj Tases, rëndon akuza e vrasjes së kryer në formën e dashjes indirekte, parashikuar nga neni 76/kp.
Prokurorja Eranda Laze dorëzoi një ditë më parë në gjykatë ish-shefin e policisë për akuzën e vrasjes me dashje të Jonada Avdiut ndërsa kërkoi masën e arrestit me burg.
Prokuroria e Vlorës kundërshtoi kështu qëndrimin dhe referimin e policisë së Vlorës që e dorëzoi komisarin Arjan Tase për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
“Nuk ka vrasje nga pakujdesia, por vrasje me dashje mbasi drejtuesi i mjetit lundrues që rezulton se kishte patentë ishte në dijeni të rrezikut që i sillte qytetarëve kur hyri në atë perimetër”, thuhet në dosje.
Në 2 gusht, në plazhin e Potamit në Himarë, vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga gomonia që drejtohej nga komisari Arjan Tase
Një ditë më parë, qytetarët dolën në protestë para Ministrisë së Brendshme për të kërkuar drejtësi për Jonadën. Protestuesit i lanë 72 orë kohë kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë nga detyra ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Nëse kjo nuk ndodh, ata lajmërojnë se do të vijojnë me protesta të pandalshme.
Top Channel