Greqia merr masat për gaz/ Shtohet një depozitë e re për të ulur varësinë nga Rusia

04/08/2022 15:40

Deri në fund të gushtit Greqia do të ketë në dispozicion edhe një rezervuar të ri lundrues për ruajtjen e gazit natyror të lëngshëm në perëndim të Athinës, si pjesë e një planit të qeverisë për të depozituar këtë lëndë djegëse dhe për të ulur varësinë nga Rusia në rast të një ndërprerje të mundshme të furnizimit me gaz nga Moska.

Bëhet fjalë për një terminal të ri lundrues LNG të ankoruar në Revithoussa, rreth 45 kilometra në perëndim të Athinës, i cili merr, ruan dhe rigazifikon gazin e lëngshëm.

“Që në momentin e parë qeveria greke ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur veten nga skenari i pafavorshëm i një ndërprerjeje të furnizimit me gaz natyror nga Rusia për këtë dimër që po vjen”, tha Ministri i Energjisë Kostas.

Greqia ka rritur importet e gazit të lëngshëm (LNG) në gjashtë muajt e parë të vitit, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të karburantit nga Rusia, vendi nga i cili Athina importonte gati 40% të gazit të saj, dy të tretat e të cilit përdoren për prodhimin e energjisë elektrike.

Por gjithashtu qeveria greke ka planifikuar një terminal tjetër lundrues LNG në Aleksandropolis deri në fund të vitit 2023, ndërsa ka rritur prodhimin e qymyrit duke rifilluar përkohësisht prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet e saj të mëparshme.

Athina është gjithashtu në bisedime me Italinë nëse mund të depozitojë gaz atje.

“Depozita e re është gati për të marrë ngarkesën e parë të gazit natyror të lëngshëm LNG deri në fund të gushtit. Kjo do të na japë mundësinë që vendi ynë të sigurojë depozitat e gazit natyror, një pjesë e madhe e të cilit përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. dhe në këtë mënyrë do ta sigurojmë vendin tonë me energji gjatë periudhës së ardhshme”, tha Ministri i Energjisë.

Athina që ka kundërshtuar një plan të BE-së për uljen me 15% të përdorimit të gazit deri në mars, nëse ndërpritet furnizimi nga Rusia ka subvencionuar faturat e energjisë për konsumatorët për disa muaj për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, ndërkohë që humbja e të ardhurave reale të familjeve greke për shkak të krizës energjetike, do të jetë më shumë se 10% këtë  vit, sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar, 3% më shumë se në vendet e BE .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA