Ish shefi i policimit në policinë e Elbasanit Arjan Tase, do të dalë para gjykatës së Vlorës për akuzën e vrasjes nga pakujdesia të 7-vjeçares Jonada Avdia.
Përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Brendshme mbi ngjarjen që i mori jetën vogëlushes që kishte ardhur për pushime me familjen, përshkruhet gjithë dinamika ku komisari i policisë teksa ishte me pushime përplasi për vdekje fëmijën që po notonte brenda vijës së sigurisë.
Agjencia duke ju referuar dëshmive midis tyre dhe të efektivit që ja lë fajin mjetit lundrues që e kishte marrë në përdorim nga një i afërm shpjegon se Arjan Tase po drejtonte mjetin lundrues me dy motorë me destinacion nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.
Në plazhin e Potamit zyrtari i policisë i shkarkuar mbas ngjarjes nga detyra në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, hyri në hapësirën ujore ku qëndrojnë pushuesit ndonëse kufiri për lundrim gjatë sezonit urdhëron jo më afër se 500 metra.
Bëhet me dije se pasi zbarkoi në breg familjarët oficeri kreu manovrime të pakujdesshme për tu kthyer sërish në det të hapur dhe teksa gjendej vetëm 15 metra larg bregut ai goditi fëmijën 7-vjeçe, e cila humbi menjëherë jetën.
Agjensia deklaron se pas veprimeve hetimore dhe provave të sekuestruara dyshime hidhen edhe ndaj strukturave të policisë kufitare dhe vendore që duhet të kontrollonin hapësirën ujore të rrethuar nga bovat.
Si persona ndaj të cilëve po kryhen hetime për dyshimet e shpërdorimit të detyrës janë gjithashtu drejtori i kufirit të Vlorës Shpëtim Hasanaliaj, kryekomisar së bashku me vartësin Fatos Muka, si dhe shefi i komisariatit dhe shefi i rendit të Himarës si dhe shefi i Stacionit në Dhërmi.
Top Channel