Zyrtarët në Bruksel nuk dhanë ndonjë afat se kur mund të ndodhë takimi, ndërsa në Prishtinë dhe në Beograd flasin për pjesën e dytë të muajit gusht.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Zërin e Amerikës se “kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje dypalëshe. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha mbrëmë se do të shkojë në takim në Bruksel me 18 gusht, por nuk pret asgjë nga këto bisedime me kryeministrin Albin Kurti.
Paralajmërimi i takimit pasoi shpërthimin e tensioneve të dielën në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kur grupe qytetarësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia.
Qetësia u rivendos pasi qeveria e Kosovës pranoi kërkesën amerikane për një shtyrje 30 ditëshe të zbatimit të vendimeve.
Pas kësaj zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”.
Të mërkurën, njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë u bën thirrje qeverive në Beograd dhe Prishtinë që siç thanë të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm dhe të zëvendësojnë retorikën nxitëse me dialog konstruktiv, ndërsa kërkuan nga vendet e Kuintit që sa më shpejt të krijojnë hapësirë për dialog në nivel politik.
Organizatat i bën thirrje edhe Listës Serbe, subjektit kryesor serb në Kosovë që të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një kanal institucional të komunikimit me kryeministrin e Kosovës, përveç komunikimit me Beogradin.
Por, Lista Serbe nëpërmjet një komunikate të publikuar sot akuzoi qeverinë e Kosovës për qëndrime antiserbe dhe që nuk është e interesuar për paqen. Kjo listë tha se qëllim politik i saj është rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Kurti.
Vëzhguesit thonë se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet përmes një procesi të bisedimeve të përshpejtuara, të cilat sipas tyre nuk do të krijonin hapësirë për rritjen e tensioneve./VOA