Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me ambasadorin e Gjermanisë Jorn Rohde, tha se është e rëndësishme që t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga ndërkombëtarët, se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme përmes strukturave ilegale në veri të Kosovës.
Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.
Sipas saj, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.
Në takim u diskutua edhe për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe punën e vazhdueshme në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe diplomacisë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.
U diskutua, po ashtu edhe rëndësia e përmbylljes sa më parë të procesit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Top Channel