Presidenti Joe Biden rezultoi përsëri pozitiv për COVID-19, në atë që mjekët e përshkruan si rast të rikthimit të virusit.
Mjeku i presidentit, Dr. Kevin O’Conner, tha se zotit Biden i ishte rikthyer kolla, ndërsa “temperatura, pulsi, presioni i gjakut, ritmi i frymëmarrjes si dhe sasia e oksigjenit në gjak mbeten krejtësisht normale”.
“Ai vazhdon të mos ketë ethe dhe ka humor të mirë”, tha mjeku O’Conner, shkruan Voice of America.
79-vjeçari Biden u infektuar me COVID-19 në fund të korrikut dhe doli nga izolimi të mërkurën e kaluar pasi u trajtua për disa ditë me ilaçin antiviral Paxlovid. Ai u izolua sërish pasi rezultoi përsëri pozitiv të shtunën.
Rastet e rikthimit të virusit ndodhin tek një përqindje e vogël e pacientëve që marrin kurën standarde pesë-ditore të ilaçit Paxlovid, një pilulë e prodhuar nga firma Pfizer dhe e autorizuar për të trajtuar pacientët e rrezikuar.
Shumica e pacientëve në rastet e rikthimit të virusit përballen me pasoja të lehta, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, dhe nuk ka pasur raporte për komplikime serioze.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve të hënën se presidenti mund të jetë ende duke përjetuar simptoma nga infeksioni i tij i parë me COVID-19, duke theksuar se simptomat zgjasin për pak kohë.
Top Channel