Pas heqjes së barrikadave të fundit në Bërnjakë dhe Jarinjë dhe dhënies fund të trazirave nga serbët, qarkullimi në veri të Kosovës i është rikthyer normalitetit.
Të nëntë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës janë larguar nga vetë ata më 1 gusht, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Pas heqjes së barrikadave, ashtu siç ishte zotuar Qeveria, Sveçla tha se do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve që çuan në bllokimin e rrugëve, përkatësisht vendimet për dokumentet dhe targat serbe.
Pas tensioneve në veri, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë krerëve të Kosovës dhe Serbisë, për t’u takuar në Bruksel.
Në takimin e thirrur nga Borrell, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është paralajmëruar se do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura. Por, ende nuk ka konfirmim të pjesëmarrjes nga asnjëri lider.
Grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi u hodhën në protesta të dielën kundër vendimeve të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë, lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas këshillimit me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe.
Ky i fundit e përshëndeti vendimin, e pezullimit përkohësisht duke thënë se të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit .
Top Channel