Sylvester Stallone quan producentët e serialit Rocky ‘gjakpirës’ dhe i krahason me ‘vampirët’ (fotot)

02/08/2022 18:15

Aktori veteran i aksionit Sylvester Stallone ka përshkallëzuar kritikat ndaj producentëve të serialit të tij të njohur ‘Rocky’ pas njoftimit të një serie të re të prodhuar prej tyre të quajtur Drago.

Muajin e kaluar aktori shpërndau një mesazh të gjatë ku i kërkonte producentit Irwin Winkler t’i jepte atij “pjesën e të drejtave që i takon”.

Ndërsa në një postim në Instagram, Stallone shpërndante një meme ku Winkler përshkruhej si një vampir, teksa thithte gjak nga qafa e personazhit të Stallone në filmin e famshëm të boksit, Rocky Balboa.

“Kur IRWIN WINKLER dhe të tjerët të thithin gjithçka mundin nga Rocky! Ky supozohet si producenti më i urryer, i patalentuar dhe më i mbaruar  në Hollywood, ndërsa fëmijët e tij grabitqarë kanë gjetur vaktin e radhës … Drago?” shkruante Stallone në komente.

“Gjatë historisë shumë artistë në industrinë e muzikës, artit etj. janë shkatërruar nga këta gjakpirës që kanë shkatërruar kaq shumë familje, që mbushin xhepat e tyre me punën e të tjerëve, janë parazitë e shfrytëzues viktimash. #parasite producers #exploited artists victims, [sic]” shkruante ai.

Përveç rolit si aktor protagonist në serialin Rocky, Stallone ka shkruar dhe skenarin e filmit dramatik sportiv që ka fituar çmimin Oscar.

Para postimit akuzues në Instagram, Stallone akuzonte producentët se po hanin “edhe kockat e personazhit të mrekullueshëm që krijova, pa më thënë asgjë”.

Në vitin 2019 revista Variety shkruante se Winkler dhe bashkëpunëtorët ishin të çuditur për qëndrimin e Stallone duke thënë se ai kishte fituar miliona dollarë për pjesëmarrjen.

FOTO GALERI
1/4
Stallone shpërndante një meme ku Winkler përshkruhej si një vampir, teksa thithte gjak nga qafa e personazhit të Stallone në filmin e famshëm

Top Channel