Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka uruar Shefin e ri të Shtabit të Forcave të Armatosura Shqiptare, Arben Kingji i cili u dekretua sot nga presidenti Bajram Begaj.
Me anë të një postimi në Twitter, ambasadorja Kim u shpreh se po pret me padurim vijimin e punës për forcimin e bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
“Urime BG Arben Kingji për emërimin e tij në detyrën e Shefit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura Shqiptare. Ne mezi presim të punojmë me të për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë si aleatë të NATO-s, ndërsa mbrojmë paqen dhe sigurinë në rajon dhe në mbarë botën”, ka shkuar ajo.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e Gjeneral Brigade Arben Kingjit, i cili mbante detyrën e Komandantit të Forcës Tokësore.
Gjeneral brigade Arben Kingji ka drejtuar deri më sot Forcën Tokësore të FA dhe më herët ka mbajtur detyrën e komandantit të Batalionit të Mbështetjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjeneral brigade Arben Kingji ka ushtruar edhe detyra të tjera si ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Rumani. Me herët ai ka qenë edhe komandant i Policisë ushtarake. Ka kryer Kursin e Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.
Gjeneral brigade Kingji ka mbajtur detyrën e komandantit të kontingjentit në disa misione në Afganistan e Irak.
Në vitin 2016 ai përfundoi edhe studimet për drejtësi në Winsdom University. Për kontributet e tij në Forcat e Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji është nderuar me disa medalje. Ai mban edhe medaljen e Artë të Shqiponjës, dhënë nga Presidenti i Republikës.
Gjeneral Brigade Arben Kingji zëvendëson në këtë detyrë Bajram Begajn, i cili u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.
Top Channel