​Betohet qeveria e re e përkohshme e Bullgarisë

02/08/2022 17:11

Një qeveri e përkohshme u betua sot më 2 gusht në Bullgari për të drejtuar vendin anëtar të BE-së deri në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 2 tetor, pas rënies në fund të qershorit së qeverisë së koalicionit pro-perëndimor i drejtuar nga kryeministri Kiril Petkov

Koalicioni i mëparshëm liberal-socialist i udhëhequr nga Petkov ra në votë mosbesimi pas pak më shumë se gjysmë viti në pushtet.

Zgjedhjet e tetorit do të jenë zgjedhjet e katërta parlamentare për vendin që nga prilli i vitit 2021.

Presidenti Rumen Radev i bëri thirrje qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga kryeministri Galab Donev që të përqëndrohet në prioritetet e sigurimit të furnizimit të vendit me energji dhe ushqime, trajtimin e “inflacionit në rritje” dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

Radev, i cili konsiderohet si miqësor ndaj Rusisë, i tha qeverisë së sapo instaluar se “përparësia juaj e parë duhet të jetë shmangia e përfshirjes së vendit në konflikt.”

Radev gjithashtu shpërndau parlamentin më 2 gusht.

Bullgaria është shumë e varur nga importet ruse të energjisë, por Rusia ndaloi eksportet e drejtpërdrejta të gazit në vend pasi Petkov refuzoi të paguante në rubla ruse.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u tensionuan më tej kur Bullgaria dëboi 70 diplomatë dhe punonjës të ambasadës ruse nën dyshimin për spiunazh në fund të qershorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA