Situata e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të kërkojë një takim në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se Kurti dhe Vuçiç kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

Zëdhënësi i BE ka bërë thirrje gjithashtu që të ndalen veprimet që rezikojnë stabilitetin në rajon.

“Çdo veprim i njëanshëm që pengon lirinë e lëvizjes duhet të ndalet menjëherë, duhet të ndalet menjëherë çdo veprim i cili rrezikon stabilitetin dhe pengon lirinë e lëvizjes së qytetarëve. BE ka ftuar Kosovën dhe Serbinë të takohen në Bruksel dhe të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, sipas tij.

Ndërkaq, burimet në Bruksel tërheqin vërejtjen se tensionet janë pasoja e drejtpërdrejt e mungesës së vullnetit të liderëve për t’u ulur dhe për të vazhduar dialogun.

Zyrtarët në Bruksel theksuan se para fillimit të pushimeve verore në BE ishte planifikuar që të mbahej një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Deri më tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në këtë takim të thirrur nga Borrell.

Përfaqësuesit e BE-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit gjatë 31 korrikut, kur u vendosën barrikada në veri të Kosovës nga serbët lokalë.

Barrikadat ishin kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje me të hyrë në territorin e shtetit. Ky dokument do të vlejë për 90 ditë.

Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

Pas tensioneve në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat.

Ndryshe, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti dhe Vuçiç janë takuar dy herë, dhe të dy takimet nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Takimi i tyre i fundit është zhvilluar në korrik të vitit 2021.

Top Channel