Situata e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të kërkojë një takim në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano duke konfirmuar lajmin tha se Kurti dhe Vuçiç kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano duke iu referuar situatës aktuale në veri.

Burimet e REL në Bruksel thonë se tensionet në veri  janë pasoja e drejtpërdrejtë e mungesës së vullnetit të liderëve për t’u ulur dhe për të vazhduar dialogun.

Zyrtarët në Bruksel theksuan se para fillimit të pushimeve verore në BE ishte planifikuar që të mbahej një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Për shkak të atij fakti të mosmbajtjes së takimit tani kemi tensione që kanë potencial të përshkallëzohen sepse kemi sërish një temë të nxehtë. Çdo politikan i përgjegjshëm do t’i hipte avionit dhe do të vinte në Bruksel sa më shpejt që të mundej me qëllim që të gjendej një zgjidhje në Bruksel”, tha një zyrtar evropian për REL-in në kushte anonimiteti.

Deri më tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në këtë takim të thirrur nga Borrell.

Top Channel