Policia ka publikuar momentin e arrestimit të Ramiz Micit, 37-vjeçari që vrau me thikë bashkëjetuesen Jetlira Elezin.
Kapja e tij u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me forcat e Posaçme “Shqiponja”, gjatë operacionit policor të koduar “Zaranika”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me forcat e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në qytetin e Elbasanit, ku mbeti e vrarë me thikë një 37-vjeçare dhe autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes, organizuan punën për kapjen e tij.
Pas ndjekjes në qytetin e Elbasanit, Cërrikut dhe Kuçovës, si dhe informacioneve të marra në rrugë operative, afër banesës së të afërmve të tij në Elbasan, u bë kapja dhe arrestimi i autorit.
Ai u shpall në kërkim, pasi masakroi me thikë 37-vjeçaren në shtëpinë e tyre në lagjen “Skënderbej”.
Sipas policisë, materialet proceduriale do t’i kalohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Kujtojmë se Elbasani u trondit një ditë më parë nga vrasja e ndodhur, ku Ramiz Mici i mori jetën bashkëjetueses për shkaqe xhelozie.
Ata jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. 37-vjeçarja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë. Edhe autori i vrasjet ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme.
Mësohet se para pesë ditësh, kishte ndodhur një sherr mes tyre dhe 37-vjeçari e kishte dhunuar bashkëjetuesen. Viktima kishte kërkuar ndihmë në polici dhe ishte pajisur me urdhër-mbrojtje. Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara.
Ditën e vrasjes, 37-vjeçarja do të ikte nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër, edhe pse nuk mundi dot të largohej.
Fatmirësisht dy fëmijët e mitur nuk kanë qenë në banesë në momentin e krimit. Nisur nga situata e rëndë me bashkëjetuesin Jetlira kishte dërguar fëmijët tek babai i tyre.
Vëllai i 37-vjeçares Jetlira Elezi paralajmëroi përmes një postimi në rrjete sociale se do të hakmerret për të. Ai i është drejtuar autorit Ramiz Mici duke i thënë publikisht se do të vrasë të afërmit e tij.
Top Channel