Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Zubin, Potok në Kosovë, aty ku janë vendosur barrikada nga serbët që po protestojnë.
Protestat e tyre lidhen me kundërshtimin e vendimit që do të hyjë nesër në fuqi për pajisjen me fletëdeklarim dhe zëvendësim të targave me ato të republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa vende janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.
Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe keqtrajtuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.
Qytetarët kanë bërë bllokimet e rrugëve në disa vendndodhje të ndryshme në Veri të Mitrovicës në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policor.
Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim këmbësorësh dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak.
Qeveria e Kosovës pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.
Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.
Top Channel