Manchester United është i gatshëm të bëjë një përpjekje të fundit për blerjen e Frenkie De Jong. “Djajtë e Kuq”, edhe pse e kanë të qartë se mesfushori holandez nuk dëshiron të ndërrojë ambient këtë verë (sepse Man. United nuk luan në Champions), vazhdojnë të bëjnë presion për t’u plotësuar dëshirën e madhe trajnerit Ten Hag.
Problemi nuk është te Barça, me të cilën klubi anglez arriti marrëveshjen për një transferim prej 75 milionë eurosh, plus 10 të tjera në variabla. Puna është të bindësh lojtarin. United beson se mund ta bëjë këtë me një ofertë përfundimtare.
Klubi anglez është i prirur ta bëjë mesfushorin holandez lojtarin më të paguar të klubit me 450 000 stërlina në javë. Dhe jo vetëm kaq. “Djajtë e Kuq” janë gati t’i shlyejnë edhe detyrimet e prapambetura që ka Barcelona, që kapin shifrën 17 milionë stërlina.
Nëse De Jong vendos të mos largohet nga Barça, ai tashmë e di se do t’i duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës.
Top Channel