Paralajmërimet gjithnjë e më të zëshme të Perëndimit se Serbia nuk mund të luajë më në kartën “edhe Bashkimi Evropian, edhe Rusia”, deri më tash nuk kanë pasur efekt.
Edhe pse anëtarësimin në BE e ka bërë qëllim të sajin strategjik, Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ku e bazojnë zyrtarët serbë një qëndrim të tillë? Edhe pse ata shpesh flasin me tone të paharmonizuara, kryetari i Qeverisë krahinore të Vojvodinës dhe zyrtar i lartë i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, Igor Miroviq, i ka paraqitur argumentet e tij në një deklaratë me shkrim më 22 korrik.
Ka qenë ajo përgjigje ndaj deklaratës së kryetarit të Partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjillas, i cili ka vlerësuar se “Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë”. Radio Evropa e Lirë ka verifikuar saktësinë e pretendimeve të Miroviqit.
“Duke kuptuar pjesërisht shqetësimin e Dragan Gjillasit për zhvillimin ekonomik në periudhën e ardhshme, i cili mund të ngadalësohet për faktin se shumica e investimeve direkte vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian… vendosja e sanksioneve [Rusisë] do t’i shkaktonte Serbisë në afat të gjatë dëme të mëdha politike dhe akoma më të mëdha ekonomike…”, ka thënë Miroviq.
Përmasat e dëmit të mundshëm ekonomik, që do të shkaktohej nga vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, është vështirë të përcaktohen me saktësi.
Megjithatë, vlerësimet e Miroviqit bien ndesh me atë që ka thënë më 15 maj presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njëherësh udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet. Në atë kohë, ai ka thënë për Televizionin Prva se “jeta do të ishte dhjetë herë më e mirë” sikur Serbia t’i vendoste sanksione Rusisë, por “Serbia nuk do ta bëjë këtë, sepse udhëheq një politikë të pavarur”.
Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Serbisë.
Sipas të dhënave të Institutit Republikan të Serbisë për vitin 2021, vendet anëtare të BE-së përbëjnë 60.3 për qind të tregtisë së jashtme të mallrave, përkatësisht 64.5 për qind të eksporteve dhe 57.2 për qind të importeve totale.
Në të njëjtën kohë, 3.9 për qind e eksporteve serbe kanë shkuar në Rusi, ndërsa Serbia ka importuar nga Rusia 5.3 për qind të mallrave. Pretendim i saktë është se Serbia ka më së shumti investime të huaja direkte nga vendet e Bashkimit Evropian – mbi 1.8 miliard euro vetëm në vitin 2021, tregojnë të dhënat e Bankës Kombëtare të Serbisë. Për të njëjtën periudhë, nga Rusia në Serbi janë investuar 162.2 milionë euro. Në të njëjtën kohë, në fushën e energjisë, Serbia mbështetet kryesisht te Rusia – gjithë sasinë e gazit e importon nga ai vend. Përveç në burimet e energjisë, Serbia llogarit edhe në mbështetjen e Rusisë në lidhje me Kosovën, pavarësinë e së cilës nuk e njeh.
Deri më tani, askush nga Rusia nuk ka dalë publikisht me mesazhin se vendosja e sanksioneve nga Serbia, do të nënkuptonte humbjen e kësaj mbështetjeje.
“Tensionet politike në vend do të rriteshin, duke marrë parasysh se shumë qytetarë, pavarësisht interesave, thjesht e shohin atë si vepër në kundërshtim me moralin…”, ka thënë Miroviq.
Shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si një vend mik, siç tregon edhe hulumtimi i fundit i Qendrës Kërkimore dhe Botuese “Demostat”, i kryer në qershor të këtij viti. Shumica e të anketuarve, 80 për qind e tyre, kanë thënë se besojnë se Serbia nuk duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Vetëm nëntë për qind e tyre kanë thënë se besojnë se Serbia duhet ta bëjë këtë.
Është e vërtetë se, në vitin 2015, Rusia ka bllokuar miratimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën. Rezoluta, e cila ka dënuar gjenocidin e kryer nga forcat serbe më 1995, është propozuar nga Britania e Madhe dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, gjatë viteve 1990, Republika e atëhershme Federale e Jugosllavisë (RFJ), e cila ka përfshirë edhe Serbinë, është përballur me sanksione të mëdha ndërkombëtare.
“Nuk ka asnjë tregues se do të marrim ndonjëherë diçka konkrete, të prekshme dhe reale, sa i përket anëtarësimit në BE, përveç disa copave të vogla të karotave”, ka thënë Miroviq.
“Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Republikën e Serbisë. Nga viti 2001, BE-ja, përmes disa instrumenteve dhe fondeve të ndryshme, ka dhënë më shumë se tri miliardë euro grante për Republikën e Serbisë, për ta mbështetur në reforma”, thuhet në ueb-faqen e Ministrisë serbe për Integrime Evropiane. Serbia vetë e ka bërë anëtarësimin në BE si synim strategjik. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) midis Serbisë dhe BE-së ka hyrë në fuqi në vitin 2013.
“Vendosja e sanksioneve kundër Rusisë do të nënkuptonte investim politik në rrugën evropiane pa rezerva, pa shprehur interesat tona të qarta në atë rrugë, njohje e pavarësisë së Kosovës në mënyrë indirekte…”, ka thënë Miroviq.
Asnjë pako e sanksioneve që Bashkimi Evropian i ka vendosur Rusisë dhe në të cilën ka ftuar Serbinë të bashkëngjitet, nuk përmban ndonjë gjë që lidhet me pavarësinë e Kosovës. Sanksionet shënjestrojnë ekonominë ruse, ndërsa janë vendosur edhe ndaj individëve, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarë të rrethit të tij të ngushtë./Radio Evropa e Lirë
Top Channel