Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e artikuloi edhe një herë qartë se në 1 gusht nis reciprociteti për dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve.

Vendimi i qeverisë, i cili kërkon që të gjithë personat me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia të pajisen me dokumentet përkatëse për hyrje-dalje që do të lëshohen nga Kosova, sipas Kurtit, është në fakt një mënyrë për të mbrojtur serbët nga veprimet diskriminuese. Në 1 gusht nis po kështu edhe riregjistrimi i makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Kurti insistoi se vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës, nuk duhet të shihet ndryshe përvecse si “përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave të serbëve si nënshtetas të Republikës së Kosovës”.

“Këtë që po fillojmë ne tani, Serbia ka nisur ta zbatojë para 11 vjetësh. Do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektimi i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, tha Kurti.

Ekzekutivi kosovar më herët njoftoi se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi. Me të do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Ndërsa të gjithë pronarët e makinave me targa me emrat e qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, mund t’i regjistrojnë me RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

Top Channel