Në dukje ndoshta po, por në përmbajtje ajo mes presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij kinez, Xi Jingping, nuk ka qenë aspak një telefonatë kortezie.
Të dy liderët kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin paralajmërime për Tajvanin në bisedën që zgjati për më shumë se dy orë.
Biden ia bëri të qartë Xi-së se SHBA i kundërvihet me forcë çdo lëvizjeje për ndryshimin e statusit të ishullit, edhe pse insistoi se politika amerikane ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar.
Xi doli me një paralajmërim të qartë, “Kush luan me zjarrin, digjet zoti president”, ishte komenti i tij.
Tensionet dypalëshe janë shtuar për shkak të planit të shumëpërfolur të një vizite në Tajvan të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
Edhe pse Pelosi nuk ka bërë ende zyrtarisht asnjë njofim mbi këtë lëvizje të saj, vetëm fjalët që rrethojnë atë mjaftuan për ta vënë në lëvizje Pekinin që kërcënon me pasoja të ashpra nëse vizita ndodh vërtet.
Pelosi do të bëhej ligjvënësja me pozitën me të lartë në SHBA që viziton këtë ishull, pas paraardhësit të saj, Newt Gingrich, që ka vepruar njëjtë 25 vjet më parë.
Disa ditë më parë, Biden tha për gazetaret se “ndërhyrja ushtarake nuk është një ide e mirë, por Shtëpia e Bardhe e ka cilësuar qartazi të panevojshme dhe të padobishme retorikën kineze kundër një udhëtimi të tillë.
Këndvështrime të ndryshme, dy liderët patën edhe mbi shëndetin global, politikat ekonomike dhe të drejtat e njeriut kanë testuar prej kohësh marrëdhëniet mes dy vendeve.
Refuzimi i Kinës për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës i ka tendosur edhe më shumë raportet dy palëshe.
Top Channel