Në konferencën e përjavshme me mediat, ish kryeministri Sali Berisha ka nxjerrë emrin e ‘spiunit’ që sipas tij rezulton të jetë bashkëpunëtor I ish Sigurimit të Shtetit, e që shkaktoi jo pak debat në politikën shqiptare.
Ndërsa mori sërish në mbrojtje ish Presidentin Ilir Meta, së fundi aleat i tij në opozitë, Berisha tha se I.M në dosjen e sigurimit është Ilir Murati dhe jo Ilir Meta.
Duke akuzuar Ramën, Berisha tha se ky është kurthi që ai organizon që të përdorë SHISH për fabrikim dokumentsh.
“Pas verifikimit të dokumenteve deklarova dy ditë më parë se gjithçka është një trillim i paskrupullt i Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik pa asnjë moral, që përdor shpifjen dhe trillimin kundër kundërshtarëve. Dje dhe sot kam dokumentet në dorë. Rama bashkë me shërbimin informativ e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth.
Cilido që lexon, e-mail e ka të qartë se I.M është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe s’ka asnjë lidhje me Ilir Metën. Këtë e kanë ditur. Rama ka keqpërdorur në mënyrën më të shpifur qoftë kryetaren e Autoritetit qoftë Linda Nikollën. Mund t’u them se në dokumentin që Genta Sula i drejton Nikollës, akuzon Ilir Metën për bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Një akt i pashembullt.
Mbi bazën e këtij dokumenti të hartuar nga SHIK, Linda e parlamentit del dhe u thotë shqiptarëve se jam e tronditur nga dokumenti. Histori e trupshme, zyrtarë primitivë. Tani, ky është kurthi që organizon Rama që të përdorë SHISH për fabrikim dokumentesh.” u shpreh Berisha.
Top Channel