Fundjavë Ndryshe u nis si një sfidë për të mposhtur varfërinë, sëmundjen dhe pamundësinë e familjeve shqiptare të cilat jetonin në errësirë, por brenda pak kohësh ky fondacion u shndërrua në një histori suksesi.

“Dëshira dhe nevoja më e madhe e ne të rinjve të Fundjavës Ndryshe, ishte të ndërtonim një qendër multifunksionale për njerëzit në nevojë, e cila fokus kishte jo vetëm ndihmën emergjente, por do të kishte edukimin, arsimimin, mësimin e profesioneve, punësimin, përkrahjen ligjore dhe kujdesin shëndetësore. Të gjitha këto mendime ne i kemi shkruar në vitin 2016”, tha Arbër Hajdari.

Ëndrra e të rinjve të fondacionit Fundjavë Ndryshe u bë realitet dy vite më parë në qendrën e solidaritetit.

Pas ndërtimit të 650 banesave, shpërndarjes së 134 bursave studimore dhe realizmin e 230 operacioneve.

Vizioni i Fondacionit të Fundjavës Ndryshe është që njerëzve në nevojë t’iu japë mundësinë që të ndryshojnë përgjithnjë fatin e tyre.

“Është pjesë e fazës së parë dhe ndërtimi i shkollës profesionale, e cila do të shërbeje falas për të gjithë ata që kanë nevojë dhe dëshirë të mësojnë në arsimin profesional. Pjesë e projekteve tona të ardhshme është dhe ndërtimi i një jetimoreje si dhe një shtëpi për të moshuarit,  ku të gjitha shërbimet do të jenë falas”, tha Arbër Hajdari.

Të rinjtë e fondacionit i kanë dhënë jetë një tjetër projekti të ri, realizmin e biznesit të parë social në Shqipëri, siç është ngritja  e Restorantit “Ndryshe”.

Ku ndryshe nga çdo restorant, të ardhurat e këtij aktiviteti tregtar do të shkojnë për njerëzit në nevojë.

“Ky restorant do të shërbejë për disa funksione do të bëjë praktikat e shkollës profesionale të kulinarisë, shitjen e produkteve që prodhohen nga familjet në nevojë, shpërndarjen çdo fundjavë të 2000 vakteve me ushqime për njerëzit në nevojë. Do të organizohen të gjitha eventet falas për shoqatat dhe fondacionet. Ndryshe restorant është një aktivitet tregtar në emër të fondacionit i cili do të dërgojë fitimin e tij 100% për projektet sociale”, u shpreh Arbër Hajdari.

Fondacioni Fundjavë Ndryshe arriti që nga gërmadhat e diktaturës, të ndërtojë vendin e shpresës, mundësisë dhe ëndrrave të mëdha.

Top Channel