Debati për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, PS depoziton në Kuvend propozimin për ndryshimin e ligjit

29/07/2022 12:51

Partia Socialiste depozitoi sot në Kuvend propozimin për ndryshimin e ligjit për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit, pas debatit të krijuar prej ditësh.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka në një deklaratë për mediat tha se zbardhja e së vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore dhe ata që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri për të dënuar krimet e të kaluarës.

Socialistët theksojnë se për t’u siguruar që historia të mos përsëritet, duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimmarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai.

Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre, sipas Bushkës.

“Nisur nga shkresa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më date 26.07.2022 lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë” të ndryshuar si dhe të Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar .

Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.

Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.

Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.

Të nderuar qytetarë,

Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike.

Pasi siç shkruante shkrimtari i mirënjohur Italian, Primo Levi, i mbijetuar i kampit famëkeq të Auschëitz:

“Ndodhi, prandaj mund të ndodhë përsëri: ky është thelbi i asaj që duhet të themi. Mund të ndodhë, dhe mund të ndodhë kudo.”

Pikërisht për t’u sigururuar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai”, tha Bushka.

Kujtojmë se para disa ditësh, Autoriteti i Dosjeve përmes një postimi dha informacion se politikani i nivelit të lartë I.M. është pjesë e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.

Pas spekulimeve se ish-presidenti Ilir Meta është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit, institucioni theksoi se të gjithë të interesuarit duhet të të ndjekin rrugën ligjore për informim mbi këtë çështje, duke shtuar se të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur.

Ilir Meta mohoi pretendimet se ai është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ai sfidoi Autoritetin e Dosjeve që të bëjë publike dokumentet, ndërsa duke u kthyer pas në të shkuarën e tij Ilir Meta kujtoi se në Fakultetin Ekonomik ku ai ka kryer studimet ishin me dhjetëra studentë me të njëjtat inciale, madje edhe një shoku tij i klasës kishte të njëjtin emër dhe mbiemër.

Ilir Meta e cilësoi lojë politike, ndërsa sulmoi ashpër Autoritetin e Dosjeve duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve, pasi sipas tij prej vitit ‘92 ai është nënshtruar të gjitha verifikimeve dhe e shkuara e tij ka dalë e pastër.

Për njollosjen e emrit nuk do i drejtohet drejtësisë ndërsa thotë se nuk ka marrë asnjë dokument nga Autoriteti i Dosjeve dhe as nga kryetarja e Kuvendit për të cilën tregoi se i ka humbur respekti.

Autoriteti i Dosjeve është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, duke theksuar se rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore.

Në vendin tonë sipas ligjit ndalohet marrja e një detyre publike nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit vetëm për drejtuesit e organeve të reja të drejtësisë. Nëse shumica socialiste do të hartojë  një projektligj të ri që do të ndalonte kandidimin e politikanëve bashkëpunëtor të ish-sigurimit do t’i duhen 84 vota bashkë me një ndryshim kushtetues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA