Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka folur me tone të ashpra sot në parlament, teksa ka kërkuar që të zhvillohet debat për ndryshimet e fundit në qeveri.
Alibeaj tha nga foltorja se kërkesa e tij për debat është e qartë, pasi shqiptarët duan të dinë se pse ka shkarkime dhe emërime të reja në qeveri. Sipas Alibeajt, parlamenti nuk duhet provivatizuar dhe nuk duhet t’i hiqet e drejta e fjalës deputetëve.
“Të kam paraqitur një kërkesë që kjo seanca të bëhej me debat. Ju jeni aty të zbatoni dhe të vini në jetë të drejtën e deputetëve për të folur. Ministrat nuk janë lojtarë, janë njerëz që marrin topin që është fati I shqiptarëve. Nuk keni të drejtë t’i hiqni të drejtën shqiptare për të kuptuar se kush po qeveris. Është e udhës që juve tu ktheni parlamentin deputetëve dhe shqiptare. Të shqyrtojmë aktet e para të presidentit të republikës. Më thirrët në pik të mëngjesit për dokumentin e autoritetit të dosjeve. Do duhet të jetë nisma e një procedure të re që çdo ndryshim të diskutohet. Por juve sot na hiqni të drejtën e fjalës. Është e patolerueshme që të privatizoni parlamentin. Shqiptarët janë ulur sot për të parë ç’ka ndodhur, pse ikën njëri e pse vjen tjetra”, tha Alibeaj nga foltorja e Kuvendit.
Dy ditë më parë, Alibeaj ka dërguar kërkesë në Kuvend për debat në seancën e sotme plenare, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri.
Top Channel