Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në konferencën e 100 vjetorit të marrëdhënieve me SHBA-në, është shprehur se iniciatori dhe roli kryesor i nisjes së këtyre marrëdhënieve është ish-presidenti Wilson.
Ai u shpreh se këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë.
Bajram Begaj: Është kënaqësi e veçantë që mblidhemi për të kremtuar lidhjen diplomatike me partnerin tonë strategjik SHBA-në. Nuk rri dot pa përmendur momentet e historisë që lidhen me të shkuarën e kësaj marrëdhënieve. Rolin më të rëndësishëm e ka luajtur presidenti Wilson, i cili me vizionin dhe përkushtimin e tij u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe moscopëtimit të trojeve të Shqipërisë në atë konferencë të rëndësishme. 100 vite në historinë e trazuar të një vendi nuk janë pak. Sot qëndrojmë krah për krah dhe punojmë se bashku. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik.
Top Channel