Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar një marrëveshje Rusisë për të lënë të lirë yllin e basketbollit Brittney Griner dhe amerikanin tjetër të burgosur, Paul Whelan.
Oferta është shumë bujare, sipas shefit të diplomacisë amerikane Anthony Blinken, i cili në një ndryshim të mprehtë të politikës së ndjekur deri tani, pritet të flasë me homologun rus Sergej Lavrov për herë të parë që kur Kremlini sulmoi Ukrainën.
I kemi vënë në tryezë një ofertë shumë të mirë pë rte lehtësuar lirimin e dy shtetasve amerikanë. Qeveritë tona kanë komunikuar vazhdimisht dhe në mënyrë te drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë e marrëveshjes.
Deklarata e Blinkenin shënon herën e parë që administrata amerikane shpalos publikisht ndonjë veprim konkret që ka ndërmarrë për të siguruar lirimin e basketbollistes Griner, e cila u arrestua në një aeroport të Moskës në shkurt nën akuza për drogë dhe një ditë më parë, dëshmoi në gjykatë. Kryediplomati i SHBA nuk ofroi detaje mbi marrëveshjen e propozuar, e cila u ofrua javë më parë, ndërsa nuk është e qartë nëse oferta amerikane do ta joshë Rusinë që të lirojë amerikanët.
Megjithatë, vetë fakti që ajo bëhet publike reflekton, sipas analistëve, trysninë në rritje ndaj administratës së Presidentit Biden për kthimin në atdhe të amerikanëve Grenier dhe Whelan, dhe angazhimin e Uashingtonit për këtë çështje. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë shkëmbim, në një kohë kur prej vitesh Rusia ka shprehur interes për lirimin e Viktor Bout, një tregtar rus armësh i etiketuar dikur si “tregtari i vdekjes”, i cili u dënua me 25 vjet burg në vitin 2012 nën akuzat se kishte planifikuar të shiste ilegalisht armë që kapin shumën e disa miliona dollarëve.
Top Channel