Qeveria e Afrikës së Jugut ka qëndruar një aleate e fortë e Palestinës, duke dhënë si mbështetje materiale ashtu dhe publike për kauzën e saj të çlirimit, shkruan rrjeti i Katarit, Al Jaseera.
Së fundmi qeveria në Pretoria ka ngritur shqetësimet për pushtimet e vazhdueshme të Izraelit “me përmasa të konsiderueshme në Bregun Perëndimor” dhe ndërtimin e kolonive të reja aty, si “shembuj flagrantë të shkeljes së ligjit ndërkombëtar” në konfliktin e vjetër e të përgjakshëm të Lindjes së Mesme.
Ministrja vendase e marrëdhënieve ndërkombëtare Naledi Pandor argumentonte qëndrimin në fjalimin e saj në Pretoria, me krerët e misionit afrikan në Palestinë:
“Narrativa e Palestinës evokon për ne eksperiencën historike të diskriminimit racor e shtypjes në Afrikën e Jugut”.
“Si afrikano-jugorë ne kemi provuar të parët pasojat e pabarazisë racore, diskriminimit e mohimit, prandaj nuk mund të qëndrojmë inertë teksa një tjetër gjeneratë e palestinezëve kalon,” tha ajo.
Pandor shtoi se Pretoria beson se Izraeli duhet të klasifikohet si një ‘shtet aparteidi’ nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila duhet të krijojë një komision për verifikimin e kritereve.
Ministri i jashtëm palestinez Riad Malki, tha pas forumit:
“Nëse ka një vend që mund ta kuptojë vuajtjen dhe përpjekjen për lirinë e pavarësinë e Palestinës, ata janë kontinenti afrikan dhe populli afrikan”.
Ambasada e parë palestineze është hapur në Afrikën e Jugut në 1995, kur dhe nisën lidhjet mes dy vendeve.
“Qëndrimi ynë për Palestinën ka qenë gjithmonë i qartë, në përputhje me atë të komunitetit ndërkombëtar”, tha Pandor.
Sipas një raporti të qendrës Al-Mezan për të drjetat e njeriut, rreth 5,418 palestinezë janë vrarë gjatë operacioneve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës gjatë 15 viteve të fundit, duke përfshirë 1,246 fëmijë e 488 gra.
Një komision i kohëve të fundit që hetoi shkeljet në territoret e pushtuara palestineze, duke përfshirë dhe Jeruzalemin Lindor, tha se Izraeli është përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve.
Duke iu referuar raportit, Pandor shtoi: “Raportimet janë të rëndësishme për ndërgjegjësimin global për kushtet që iu imponohen palestinezëve dhe provat e padrejtësive ndaj tyre. Këto janë fakte se shteti i Izraelit po kryen krime aparteidi dhe persekutimi ndaj palestinezëve”.
Top Channel