Kredia vijoi të rritet me ritme të qëndrueshme edhe për muajin qershor. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia e re për ekonominë arriti vlerën e 25.3 miliardë lekëve, me një rritje prej 0.4% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për 6-mujorin e parë të vitit, kredia vazhdon të qëndrojë në nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit. Për periudhën janar-qershor janë dhënë gjithsej 136.1 miliardë Lekë kredi të reja me 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke qenë se shifrat e kredisë nuk janë të korrigjuara për efektin e kursit të këmbimit, realisht rritja e huadhënies mund të jetë edhe pak më e lartë në pjesën e portofolit të kredisë në valutë të huaj dhe sidomos në Euro. Në mesin e këtij viti, kursi Euro-Lek rezultonte i nënçmuar me rreth 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kredia këtë vit po rritet si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Kredia për bizneset frenoi disi në muajin qershor, me shifra më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, bilanci i 6-mujorit ngelet në rritje. Kompanitë private përfituan gjithsej 87 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe kredia për kompanitë publike është rritje dhe për 6-mujorin arriti një vlerë totale prej 4.6 miliardë lekësh, në rritje me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, kontributin kryesor në rritje e ka dhënë muaji janar, me 3.4 miliardë lekë kredi. Në vijim, shifrat e huadhënies kanë rënë ndjeshëm, në reflektim të faktit se kompanitë e sektorit energjetik nuk janë mbështetur më tek kreditë bankare për të përballuar importet, por këto blerje janë financuar direkt nga buxheti i shtetit.
Kredia e re për individët paraqitet në rritje të qëndrueshme edhe për këtë vit. Në gjashtë muaj, individët kanë përfituar gjithsej 44.4 miliardë Lekë kredi, në rritje me 18.4% krahasuar me një vit më parë. Kontributin kryesor në rritje vazhdon të japë huaja për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe sidomos ajo e dhënë në valutë të huaj.
Në fund të muajit qershor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e 701.5 miliardë Lekëve (pothuajse 6 miliardë Euro), në rritje të mëtejshme me 5.2 miliardë Lekë krahasuar me fundin e 5-mujorit. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë rezulton në rritje me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Teprica e kredisë për ekonominë ka arritur nivelet më të larta historike, e mbështetur nga rritja e kredisë së re dhe sidomos nga rritja e peshës së huasë afatgjatë, sidomos e lidhur me blerjen e pasurive të paluajtshme. Shtrenjtimi i çmimeve në tregun e pronave është gjithashtu një faktor që po nxit rritje më të lartë të kredidhënies.
Në segmentin e biznesit, portofoli ka një rritje vjetore prej 8.6%, ndërsa për individët rritja ngelet në vlera më të larta, me 13.7%.
Deri tani, inflacioni i lartë nuk ka dhënë ndonjë impakt të dukshëm negativ në ecurinë e kredidhënies. Në këtë fazë, ndikimet mund të jenë më shumë pozitive, sepse shtrenjtimi i mallrave, sidomos atyre të importit, ka rritur nevojën për mjete qarkulluese nga bizneset.
Top Channel