Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë konfirmuar një sulm të ri në një urë strategjike që përdoret për të përforcuar dhe rifurnizuar forcat ruse në Ukrainën jugore.
Ata pretendojnë se kanë avancuar diku tjetër, teksa janë zotuar për një kundërofensivë të madhe për të rimarrë rajonin e Khersonit.
Separatistët e mbështetur nga Moska pretenduan më 27 korrik, se kishin marrë kontrollin e termocentralit të dytë më të madh të Ukrainës me qymyr pranë qytetit të Svitlodarsk me ndihmën e mercenarëve rusë nga grupi famëkeq Vagner, i lidhur me Kremlinin.
Granatimet e rënda vazhduan përgjatë gjithë vijës së frontit në rajonin lindor të Donjeckut, ndërsa forcat ruse shënjestruan Bakhmutin dhe qytete të tjera, tha ushtria ukrainase.
Zyrtarët nga të dyja palët konfirmuan më 26 korrik se ura Antonivskiy – pika kryesore e kalimit të lumit Dnieper në rajonin Kherson që në thelb lidh Ukrainën me Krimenë e aneksuar nga Rusia – ishte goditur gjatë natës nga armatimet me rreze më të gjatë të që Perëndimi ia dha Kievit.
Nataliya Humenyuk, zëdhënëse e Komandës Operacionale Jugore, i tha televizionit ukrainas: “Po, pati goditje në urë dhe ato ishin të sakta”.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt./Radio Evropa e Lirë
Top Channel