Turistë nga e gjithë bota në Tiranë/ Ata zgjedhin të vizitojnë fillimisht kryeqytetin, më pas bregdetin

27/07/2022 12:22

Çdo vit më shumë turistë po zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Këtë e tregojnë jo vetëm pamjet  që shohim çdo ditë të vizitorëve të huaj, por edhe shifrat e 6 mujorit të parë, sipas të cilave rreth 2.5 milionë të huaj kanë hyrë në Shqipëri.

Shtetet nga të cilat vijnë janë nga më të ndryshmet. Ajo çka i ka bindur për të vizituar vendin tonë, janë edhe komentet pozitive që marrin nga ata që kanë qenë më herët.

“Hera e parë në Shqipëri, jemi nga Brazili. Ishim shume kurioz për Shqipërinë dhe vendosëm të kalojmë disa ditë këtu. Do qëndrojmë 3 ditë, deri tani përshtypja e parë është shumë e mirë, vend shumë miqësor. Erdhëm dje, kemi vizituar qendrën e qytetit, hëngrëm në restorant. Pas Tiranës do shkojmë në Sarandë. Njerëzit janë shumë miqësorë, deri tani na kanë trajtuar shumë mirë dhe ushqimi është i mirë. Shpresojmë të rikthehemi sërish për ta vizituar”, tha një pushues nga Brazili.

Ndonëse kanë pak ditë që kanë ardhur, deri më tani Shqipëria u ka lënë përshtypje të mirë.

Turistët nga Egjipti:

“Jam nga Egjipti. Hera e parë që vizitoj Shqipërinë, vend i mrekullueshëm. Sapo erdhëm nga Vlora, shumë bukur dhe atje. Tani ishim në xhami, e mrekullueshme, çdo gjë është e mrekullueshme. Do qëndrojmë një javë. Jemi me guidë turistike dhe do kemi mundësi të vizitojmë gjithë qytetin. Njerëzit janë vërtetë shumë të lezetshëm”.

“Jemi nga Egjipti. Përshtypjet po bëhen shumë të mira për Shqipërinë, më parë nuk ishte kështu. Nuk nevojitet viza, pra ka avantazh është lirë, dhe ka vende të bukura për të parë. Kemi ecur nëpër qytet, do ikim në muze, do përpiqemi të shohim sa më shumë të mundemi”.

Por jo të gjithë zgjedhin guidat turistike, ka dhe nga ata që preferojnë që t’i zbulojnë vetë bukuritë e  Shqipërisë.

“Jam nga Polonia. Hera e parë në Shqipëri, dita e parë sot. Jam e surprizuar për mirë, po më pëlqen shumë ky qytet. Kam ardhur vetëm, për të bërë një tur në Shqipëri. Kam dëgjuar që është një vend i bukur dhe interesant për tu vizituar, dhe shumë ndryshme nga vendi ku unë jetoj, sepse unë jetoj në Mbretërinë e Bashkuar, është tërësisht ndryshe, prandaj për mua është bukur që ta vizitojë”, tha turistja nga Polinia.

Turizmi në Shqipëri është rritur me ritme të shpejta vitet e fundit. Tashmë pas heqjes së kufizimeve të pandemisë, pritet që sezoni turistik të jetë më i suksesshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA