Një tërmet me magnitudë mbi 7 ballë goditi Filipinet mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar katër viktima dhe 60 të plagosur.
Tërmeti goditi provincën malore dhe pak të populluar të Abra në Luzon, ishullin kryesor dhe më të populluar të vendit, duke shkaktuar rrëshqitje të vogla dheu dhe shembje të disa shtëpive.
Tërmeti është matur me magnitudë paraprake 7.1 nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS), 7.2 nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC) dhe 7.3 nga Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë Filipine (Phivolcs).
Phivolcs më vonë e rishikoi magnitudën në 7.0., megjithatë ky ishte tërmeti më i fortë që ka goditur Filipinet ndër vite.
Të vrarët përfshinin një burrë që u godit nga rënia e pllakave të çimentos në shtëpinë e tij në Abra, ku të paktën 25 të tjerë u plagosën.
Fotot e shpërndara në mediat sociale nga zyrtarët lokalë dhe banorët tregonin disa ndërtesa të shembura plotësisht me dritare të thyera.
Disa makina u shtypën nga rënia e mureve dhe rrugët mbetën të shkatërruara nga tërmeti i fortë.
“Tërmeti zgjati 30 sekonda ose më shumë. Mendova se do të më binte shtëpia”, tha një dëshmitar sipas Al Jazeera.
Shërbimet në sistemet hekurudhore të metrosë së qytetit u pezulluan përkohësisht pas tërmetit, ndërsa shumë ndërtesa të larta zyrash dhe kulla rezidenciale u evakuuan.
Filipinet janë të vendosura në “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, një hark 40,000 km (25,000 milje) me aktivitet intensiv sizmik që shtrihet nga Japonia përmes Azisë Juglindore dhe përgjatë pellgut të Paqësorit.
Në tetor 2013, një tërmet me magnitudë 7.1 goditi ishullin Bohol në Filipinet qendrore, duke vrarë më shumë se 200 njerëz dhe duke shkaktuar një numër rrëshqitjesh dheu.
Gati 400,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre si rezultat i katastrofës.
Top Channel