Pas takimit me krerët e grupeve parlamentare ku informoi mbi dokumentin sekret të autoritetit të dosjeve, sipas të cilit politikani I.M rezulton të jetë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e konsideroi rastin tronditës.
Në një konferencë për mediat, Nikolla tha se është e gatshme të mbledhë parlamentin në seancë plenare në cdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.
“Dje Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka informuar publikun për rastin e një politikani me profil të lartë, me inicialet I.M, i cili ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit. Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më ve në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore, që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin.
Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.
Dua ta falenderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional, si edhe për kurajon në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës, nuk mund të flas më shumë në këtë faze.“- u shpreh Nikolla.
Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit tha një ditë më parë se një politikan i profilit të lartë politik, me inicialet I.M, ka qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.
Nisur nga ky rast, Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Ligji aktual parashikon që ata politikanë që kanë certifikatë të pastër sigurie nga komisionet e ngritura gjatë fundit të viteve 1990, komisionet Mezini-Bezhani, të mos ndëshkohen nga autoriteti aktual.
Në letrën dërguar Kuvendit, autoriteti kërkon gjithashtu që të korrigjohet ligji për të verifikuar edhe këta funksionarë që kanë dalë të pastër në komisionet e mëparshme. Autoriteti thotë më tej se Kuvendit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.
Top Channel