Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën e ish-Ministrit Fatmir Mediu mbi dosjen Gërdeci.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sandër Beci, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi, vendosi të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare.
Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të hetuar përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.
SPAK pritet të hetojë përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Mediu është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt nga imuniteti parlamentar.
Pretendimet e kërkuesit
- Kërkuesi në kërkesën e tij ka parashtruar, në mënyrë të përmbledhur, se vendimi gjyqësor i kundërshtuar i ka cenuar:
- Parimin e sigurisë juridike dhe gjësë së gjykuar (res judicata), pasi vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr. 6, datë 14.09.2019 nuk është prishur, as nuk është vendosur rishqyrtimi i çështjes dhe ndjekja penale është parashkruar. Pretendimi i akuzës se cilësia e të pandehurit është ruajtur për 12 vjet është i pabazuar dhe në kundërshtim me ligjin, pasi kjo cilësi ruhet derisa merr formë të prerë vendimi i pushimit të çështjes. Ligjvënësi e ka hequr mundësinë e rifillimit të ndjekjes penale kur ajo është pushuar me motivin se mungon autorizimi dhe ky fakt është konstatuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk është në përputhje me rrethanat e reja. Ai jo vetëm që nuk ka mbështetje ligjore, por vjen në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.
- Standardin e arsyetimit të vendimit, pasi vendimit i mungon arsyetimi rrëzues i fakteve të pretenduara nga pikëpamja e logjikës, përmbajtjes dhe formës, si dhe është kontradiktor.
III
Vlerësimi i Kolegjit
- Për legjitimimin e kërkuesit
- Çështja e legjitimimit (locus standi) është një ndër aspektet kryesore që lidhet me inicimin e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.
- Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës. Këto kritere paraprake të pranueshmërisë së kërkesës janë të natyrës kumulative, pra mjafton mosplotësimi i njërit prej tyre që kërkuesi të mos legjitimohet për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.
- Në këndvështrim të verifikimit të plotësimit të këtyre kritereve, Kolegji vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae, në kuptim të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, sepse ka qenë palë në procesin gjyqësor për të cilin është marrë vendimi objekt kundërshtimi, si dhe është bartës i të drejtave dhe lirive themelore të njohura nga Kushtetuta.
- Një tjetër kriter paraprak, që duhet të përmbushet nga individi përpara se t’i drejtohet kësaj Gjykate, lidhet me shterimin e mjeteve juridike efektive. Sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, që individi pretendon se i janë cenuar nga akti i pushtetit publik. Qëllimi i këtij neni të Kushtetutës është, ndër të tjera, të mundësojë, brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm, parandalimin ose riparimin e shkeljeve të pretenduara, përpara se të tilla pretendime të paraqiten në këtë Gjykatën (shih vendimet nr. 5, datë 17.03.2022; nr. 23, datë 29.04.2021; nr. 54, datë 24.07.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
- Duke qenë se mbrojtja kushtetuese ka një funksion subsidiar, ajo mund të kërkohet vetëm për një vendim përfundimtar, të çfarëdolloj forme, që përmbyll procesin gjyqësor. Cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës, mund të pretendohet në këtë Gjykatë vetëm pasi të shterohen të gjitha mundësitë e ofruara nga sistemi i apelimeve dhe kjo vlen edhe në rastet kur procedurat gjyqësore paraprake çojnë në një rëndim të mëtejshëm ose në tejzgjatjen e cenimit të kësaj të drejte (shih vendimet nr. 14, datë 11.03.2021; nr. 29, datë 30.03.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
- Megjithatë, në jurisprudencën e saj në fushën penale Gjykata ka përfshirë në juridiksionin kushtetues edhe vendime gjyqësore të ndërmjetme, siç janë ato për caktimin ose zëvendësimin e masave të sigurimit personal, apo edhe ato për konfiskimin e pasurisë gjatë procedimit penal, për shkak të natyrës së këtyre vendimeve dhe pasojave që sjellin në të drejtat themelore të individit.
- Në rastin e pretendimeve ndaj vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit (caktimin ose zëvendësimin e tyre), të cilat janë vendime që jepen në procedura të veçanta në funksion të procedimit penal të themelit, Gjykata ka vlerësuar se ato bëjnë pjesë ratione materiae në juridiksionin e saj. Në rastet kur kërkuesi i ka shteruar mjetet e ankimit për masën e sigurimit penal “arrest në burg” dhe ankohet ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për këtë masë, është vlerësuar se ky lloj vendimi gjyqësor konsiderohet përfundimtar për qëllimet e nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës (shih vendimin nr. 14, datë 11.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
- Edhe në lidhje me vendimet për konfiskimin e pasurisë është vlerësuar se ato kanë natyrë përfundimtare, pasi vendosin mbi të drejtën e pronësisë së individit. Ato janë rrjedhojë e një procesi autonom nga ai penal për përcaktimin e fajësisë dhe cenimi i së drejtës së pronësisë është pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre lloj vendimesh, që do të thotë se kërkuesit përfshihen në statusin e viktimës së të drejtës kushtetuese. Këto vendime janë përfundimtare, në ndryshim nga vendimet që jepen për sekuestrimin e pasurive, që janë vendime të ndërmjetme (shih vendimin nr. 48, datë 06.07.2015 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin nr. 135, datë 02.12.2021 të Mbledhjes së Gjyqtarëve).
- Kolegji vëren se kërkuesi ka kundërshtuar në objektin e kërkesës në shqyrtim vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për mospranimin e rekursit kundër vendimit të GJKKO-së së Apelit, me të cilin është revokuar vendimi i pushimit të çështjes penale në ngarkim të tij. Me fjalë të tjera, kërkuesi kundërshton në këtë Gjykatë vendimin gjyqësor, i cili i ka hapur rrugë fillimit të procedimit penal në ngarkim të tij.
- Për sa më sipër, vendimi nr. 1106, datë 21.12.2021 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i kundërshtuar nga kërkuesi, nuk është një vendim përfundimtar, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, pasi jo vetëm që nuk vendos në mënyrë përfundimtare për thelbin e së drejtës së tij, që ka të bëjë me fajësinë ose pafajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet, por as nuk është provuar se ai ka ndonjë efekt të tillë cenues në të drejtat themelore të kërkuesit, të cilat nuk mund të mbrohen gjatë gjykimit të zakonshëm.
- Kolegji vlerëson se kërkuesi i ka të gjitha mjetet e nevojshme juridike për mbrojtjen e interesave të tij gjatë shqyrtimit të themelit të çështjes së tij, ku mund të ngrejë pretendime në lidhje me cilësimin juridik të fakteve ose cenimin e të drejtave të tij kushtetuese nga vendimi objekt i këtij gjykimi, si dhe të paraqesë të gjitha provat që i konsideron të nevojshme në mbështetje të pretendimeve të tij, përfshirë më pas edhe mbrojtjen kushtetuese në këtë Gjykatë.
- Si përfundim, Kolegji çmon se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet ligjore efektive në dispozicion, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
PËR KËTO ARSYE,
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31/a, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
V E N D O S I:
Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
Top Channel