Zonja e parë e Ukrainës thotë se ‘lufta e ka bërë më të fortë martesën me President Zelensky’ (fotot)

26/07/2022 20:13

Presidenti i Ukrianës dhe zonja e parë Olena Zelenska, kanë thënë në programin britanik ‘Talk TV’ të Piers Morgan se lufta brutale me Rusinë i ka bërë “më të interesuar për njëri tjetrin”.

Daily Mail shkruan se në klipin e intervistës që do të transmetohet nesër Zelensky dhe gruaja Olena janë më të afërt tani që Rusia po bombardon vendin e tyre.

Çifti shihet qe flasin nga rezidenca e tyre në Kiev jo për luftën por për marrëdhënien mes tyre, në një njëfarë “reality show” brenda konfliktit.

Intervistuesi britanik Morgan pyet çiftin: “Këto lloj situatash janë vendimtare për një marrëdhënie, mendoni se jeni më të fortë me këtë që po kaloni?”

Zelenska përgjigjet: “Po jam dakord me teorinë se martesa bëhet më e fortë me sfidat, kështu është edhe për ne”.

“Jemi bërë më të interesuar për njëri-tjetri, shpresoj që këto sfida të na bëjnë më të bashkuar”.

Më pas zonja e parë kthehet të pyesë bashkëshortin e saj, i cili aktualisht udhëheq rezistencën kundër forcave pushtuese të Rusisë, për t’i kërkuar opinionin mbi martesën e tyre.

Zelensky përgjigjet: “Përgjigja ime është e njëjtë”.

Gruaja i thotë me shaka: “Por ti duhet të kesh opinionin tënd”.

Duke qeshur, presidenti përgjigjet: “Kur je ti pranë meje, opinioni yt është prioritet!”

Zelenska është martuar me bashkëshortin ne 2003 dhe kanë dy fëmijë, Kyrylo, nëntë vjeç dhe 18-vjeçaren Oleksandra.

Zelenska javën që shkoi vizitoi SHBA në mision diplomatik për të kërkuar më shumë sisteme luftarake ajrore.

Në fjalimin e saj emocional ajo bëri apel për “sisteme ajrore armatimi që të shpëtojmë fëmijët në karroca nga raketat ruse”.

“Rusia kërkon të vrasë njerëz të pafajshëm”, tha Zelenska teksa shfaqte imazhe të një fëmije me këmbë artificiale pasi sipas saj “ishte goditur nga sulmet e Rusisë”.

FOTO GALERI
1/5
Zelenska përgjigjet: “Jemi bërë më të interesuar për njëri-tjetri, shpresoj që këto sfida të na bëjnë më të bashkuar”.

Top Channel