Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialistë për Integrim ka nisur punimet këtë pasdite në Pallatin e Kongreseve.
Në rend dite janë zgjedhja e Kryesisë së Konventës, paraqitja e propozimeve për ndryshime në statut, shqyrtim dhe miratim i propozimeve të delegatëve drejtuar Konventës.
Konventa ka të drejtën e ndryshimit të emrit dhe pritet të mësohet nëse do të vendoset një emër i ri. Kryesia e konventës përbëhet nga Eriona Bixha, Jorida Prifti, Georges Gostivishti.
Kjo është Konventa 5-të që prej ditës kur LSI zgjodhi të pozicionohej në opozitë, pas zgjedhjeve të vitit 2017, tha Endrit Braimllari në fjalën e tij.
Sipas tij, që atëherë, LSI ka qenë një zë aktiv për problemet ekonomike të qytetarëve, të biznesit.
“Kemi përfaqësuar me një kujdes të veçantë rininë shqiptare, për çështjet e arsimit dhe perspektivën e punësimit të tyre. Kemi kundërshtuar fuqimisht në Kuvendin e Shqipërisë, në institucione dhe qëndrimet tona publike, modelin ekonomik të qeverisë aktuale, të bazuar tek koncesionet, PPP-të, tenderat sekretë dhe mashtrimet financiare e tregtare që heqin paratë nga buxheti i shtetit dhe xhepat e qytetarëve, në favor të klientëve të qeverisë.
Me përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi dhënë kontribut të vazhdueshëm për reformat shumë të rëndësishme që ka kaluar vendi, duke ofruar alternativa konkrete, gjithmonë në interes të njerëzve të thjeshtë”.
Fjalën më pas e mori Tedi Blushi, këshilltar i Ilir Metës gjatë mandatit pesë vjeçar si President. Duket se ka vendosur ta ndjekë Metën, edhe tani që iu rikthye politikës.
Faleminderit qe me jepni mundësinë, në këtë eksperiencë të parë në jetën time, e nisi fjalën e tij Blushi.
Ai u kujdes të theksonte për punën e mirë që Meta ka bërë gjatë detyrës në krye të shtetit, duke bërë thirrje që qytetarët ta mbështesin lidershipin e ish-Presidentit si mundësi ‘shpëtimi’ për të ardhmen e Shqipërisë.
“Unë i përkas vetëm popullit të 2 Marsit, dhe sot vij perpara jush si një njeri i lirë, si një prej mijëra e mijëra shqiptarëve që dy vite më pare iu përgjigjen thirrjes së Presidentit të Republikes dhe dolën në shesh me një mision: Rikthimin e Sovranitetit dhe Referendumit. Sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një lidership të forte si Ilir Meta, që rikthehet në betejë për një Shqipëri më të drejtë, më njerëzore, më të dashur dhe më të dhembshur.
Fuqia e popullit të 2 marsit, qëndron te bashkimi rreth lirisë. Te bashkuar do t’ia dalim. Ndryshimi po vjen. Koha është tani! Boll duruam”.
Top Channel