Papa Françesku mbërriti në Kanada të dielën për të nisur një udhëtim pesë-ditor që do të përqendrohet në kërkimin e faljes në emër të Kishës Katolike për abuzimin me fëmijët indigjenë, në shkollat e drejtuara kryesisht nga kisha.
Duke filluar nga vitet 1880 deri në vitin 1996, më shumë se 150,000 fëmijë, nga qindra komunitete indigjene në të gjithë Kanadanë, u morën me forcë nga prindërit e tyre dhe u dërguan në shkolla ku u sigurohej fjetja e qëndrimi. Shumë fëmijë humbën jetën nga uria, u rrahën dhe u abuzuan seksualisht, një gjë që Komisioni kanadez mbi të Vërtetën dhe Pajtimin e ka cilësuar si “gjenocid kulturor”.
“Ky është një udhëtim pendimi, e nën këtë frymë do të zhvillohet“, u tha Papa gazetarëve në komentet e tij të zakonshme përpara se të nisej nga Roma.
Ai zbriti në Edmonton, në provincën perëndimore të Albertës, ku do të vizitojë një prej ish-shkollave dhe do të takohet me anëtarë të komunitetit indigjen të hënën. Papa do të vizitojë gjithashtu qytetin e Kebekut dhe Ikaluin, kryeqytetin e territorit Nunavut. Vizita e tij do të zgjasë deri të premten.
Në bordin e aeroplanit, Papa tha se kishte dëshirë të vizitonte Ukrainën në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës pesë-mujore, të cilën e ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme.
“Kam një dëshirë të madhe të shkoj në Kiev“, tha Papa Françesku kur u pyet për një udhëtim të mundshëm në Ukrainë.
Në një intervistë ekskluzive në fillim të këtij muaji, Papa i tha agjencisë “Reuters” se ai shpresonte të shkonte së shpejti në Moskë dhe Kiev, pas udhëtimit të tij në Kanada.
Dita e parë e plotë e turneut të tij në Kanada do t’i kushtohet popullatës indigjene duke u kërkuar atyre falje me një meshë që do të mbahet në stadiumin Commonwealth të Edmontonit të martën.
Udhëheqësit kanadezë kanë ditur se një numër i madh fëmijësh kanë vdekur në shkolla që nga viti 1907, por çështja u vu në qendër të vëmendjes me zbulimin vitin e kaluar të atyre që dyshohet të jenë varre të pashënuara, në ose pranë zonave të ish këtyre shkollave.
Si përgjigje ndaj trysnisë pasojë e këtyre zbulimeve, Papa kërkoi falje për rolin e kishës katolike në shkolla në fillim të këtij viti, gjatë vizitës së një delegacioni indigjenësh në Vatikan.
Tashmë ai po shkon t’u kërkojë falje atyre në tokën kanadeze. Por të mbijetuarit dhe udhëheqësit indigjenë kanë thënë për “Reuters” se kjo është e pamjaftueshme.
Shumë kanë bërë thirrje për kompensim financiar, kthimin e objekteve indigjene, nxjerrjen e të dhënave të shkollave, mbështetje për ekstradimin e abuzuesve të akuzuar dhe shfuqizimin e një doktrine të shekullit të 15-të që justifikon shpronësimin e popullatës indigjene./VOA
Top Channel