Ferrari është dukshëm më i shpejtë se makinat e tjera të kampionatit të Formulës 1, megjithatë gabimet herë të drejtuesve të skuadrës dhe herë të Charles Leclerc, kanë bërë që kryesimin ta mbajë ende kampioni në fuqi, Max Verstappen.
Këtë fundjavë skuadra italiane a dhuroi një tjetër fitore pilotit holandez pasi ishte Leclerc ai që ndonëse u nis i pari dhe kryesonte, bëri një gabim që a kushtoi daljen nga pista dhe në të njëjtën kohë i dhuroi fitoren Verstappenit.
Vetë piloti nga Monaco u shfaq mjaft i zhgënjyer pas garës, teksa deklaroi se nëse do ta humbë titullin për 32 pikë, atëherë faji do të jetë tërësisht i tij për gabimet në Imola dhe në Francë.
“Jam një pilot i nivelit të lartë dhe nuk mund t’i lejoj vetes këto gabime. Do të më vijë shumë keq nëse e humb titullin për 32 pikë, pasi i kam bërë vetë gabimet, si këtu, ashtu edhe në Imola. Kanë mbetur edhe 10 gara dhe i kemi të gjitha mundësitë për të bërë më mirë, por duhet të mos përsëritim gabime si ky sot”, u shpreh Leclerc.
Top Channel