Një foto virale e përshëndetjes me grusht mes Presidentit Joe Biden dhe Princit saudit Mohammed bin Salman, për të cilin zbulimi amerikan thotë se ka urdhëruar vrasjen e gazetarit të “Washington Post-it” në vitin 2018, Jamal Khashoggi, ka shkaktuar një mori kritikash ndaj zotit Biden dhe politikës së tij të jashtme.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden e trajtoi çështjen e vrasjes së gazetarit në takimin me princin e kurorës, por aktivistët e mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut thonë se përshëndetja me grusht i dha princit saudit atë lloj legjitimitetin që ai po kërkonte.
Vëzhguesit e ndoqën nga afër vizitën e parë të Presidentit Joe Biden në Lindjen e Mesme për të parë se si do t’i trajtonte vrasjet e dy gazetarëve të njohur.
Gazetarja palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh u vra gjatë një sulmi izraelit në Bregun Perëndimor më 11 maj. Familja e saj kishte kërkuar të takohej me Presidentin Biden në Jeruzalem, por në vend të kësaj ajo ishte ftuar të takohej me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington.
Departamenti i Shtetit thotë se të shtënat me armë nga izraelitët kanë shkaktuar vdekjen e gazetares, por nuk mund të vërtetonte nëse të shtënat ishin të qëllimshme. Disa ekspertë të mbrojtës së të drejtave të njeriut thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë.
“Izraelitët dhe palestinezët kanë bërë hetimet e tyre. Por, gazetarja Shireen ishte një shtetase amerikane. FBI-ja duhet të bëjë hetimin e vet, ta lërë politikën jashtë këtij incidenti. Ajo është një shtetase amerikane dhe meriton të bëhet një hetim i pavarur”, thotë Sarah Yager nga organizata Human Rights Watch.
Por shumica e kritikave lidhur me udhëtimin e presidentit në Lindjen e Mesme janë përqëndruar në një përshëndetje me grusht të parë nëpër botë, e shpërndarë me shpejtësi nga Mbretëria e Arabisë Saudite në mediat sociale, në takimin e Presidentit Biden me princin Mohammed bin Salman në Jeddah më 15 korrik.
“Vetëm imazhi, pas vrasjes së Jamal Khashoggit, gazetarit saudit, që CIA thotë se është vrarë me pëlqimin e princit saudit, ka shkaktuar ndjenja të kuptueshme dhimbjeje dhe reagime të forta atje”, thotë Brian Katulis nga Instituti i Lindjes së Mesme.
Princi Bin Salman mohon se ai është përgjegjës për vrasjen e Jamal Khashoggit në vitin 2018. Analisti i çështjeve të Lindjes së Mesme, Brian Katulis thotë se do të ishte më mirë që presidentët amerikanë të angazhohen drejtpërdrejt me vendet që nuk kanë një histori të mirë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të ngrenë shqetësimet e tyre mbi këto çështje në takimet kokë më kokë.
“Unë nuk e kuptoj argumentin alternativ. Ndërprerja e lidhjeve, izolimi, dhe shkëputja e kontakteve nuk do ta përmirësonte në mënyrë magjike gjendjen e të drejtave të njeriut atje”, thotë ai.
Por Sarah Yager nga organizata Human Rights Watch thotë se vizitat presidenciale me diktatorët mund të shkaktojnë dëm të vërtetë.
“Udhëtimet e Presidentit Biden në Lindjen e Mesme, por edhe vende të tjera si Uganda Filipinet dhe India, fuqizojnë udhëheqësit autoritarë, të cilët përdorin taktika shtypëse, mbyllin shoqërinë civile, vënë në shënjestër gazetarët dhe burgosin kundërshtarët e tyre politikë”, thotë ajo.
Aktivistja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Sarah Yager i tha Zërit të Amerikës se ajo mendon se pas vizitës së Presidentit Biden, princi saudit ka të ngjarë të godasë edhe më shumë të drejtat e grave dhe kundërshtarët politik në mbretëri./VOA
Top Channel