Paul Pogba dhe Paulo Dybala luajtën vetëm një sezon së bashku te Juventusi (2015/2016), por që mjaftoi që dy lojtarët të krijonin një miqësi të madhe mes tyre. Mesfushori francez u rikthye te bardhezinjtë pas aventurës tek United, ndërsa La Joya u transferua si lojtar i lirë te Roma, aty ku do të jetë lideri dhe ylli i ekipit të Mourinhos.
Pogba ka zbuluar një prapaskenë në lidhje me Dybala, i cili qëndroi disa ditë pa ekip pas largimit nga Juventusi. “Kam biseduar shumë me Paulon, e pyeta pse nuk po qëndronte këtu për të luajtur sërish së bashku. Ai m’u përgjigj se tani ishte larguar, më tha se duhet ta kisha telefonuar më para… Ne bëjmë gjithmonë shaka me njëri-tjetrin.
Unë i uroj të jetë i lumtur, e ndjeva që është i kënaqur me kalimin te Roma”, theksoi 29-vjeçari. Më pas një koment për lojtarët që i kanë bërë më shumë përshtypje te Juventusi dhe Angel Di Maria, një tjetër përforcim i klubit italian. “Jam befasuar nga Vlahovic, shumë lojtar i fortë. E thërras Du-Du, e kam më të lehtë se t’i them Dusan. Edhe Chiesa më ka lënë përshtypje shumë të mira. Është i ri dhe shumë i talentuar.
Di Maria? Fideo është një lojtar shumë i fortë, ti e di se çfarë dëshiron të bëjë, por nuk arrin ta kapësh kur niset në të majtë, ai është një fenomen. Edhe Locatelli është fantastik, unë e quaj ‘Super class’ sepse luan me klas, cilësi që e ka shumë edhe jashtë fushhave, për mënyrën se si vishet dhe lëviz“, përfundoi Pogba.
Top Channel