Nëse do t’ju ndodhë që gjatë pushimeve në Sarandë të shihni një majmun të kacavirret nga pema në pemë, të shfaqet lirisht në shëtitore apo të vizitojë një bar, duhet të dini se nuk është larguar nga kopshti zoologjik.

Kiko e konsideron këtë mjedis habitatin e tij dhe është një majmun i lumtur.

Timo pronari i kafshës së xhunglës thotë se Kiko kërkon vetëm të pranohet nga të gjithë. Sipas tij ai është i parrezikshëm dhe nuk dëshiron të jetojë në kafaz.

Ai largohet herët në mëngjes dhe kthehet në mbrëmje. Timo merr telefonata nga blegtorët, prodhuesit, policët, qytetarët, taksistët mbi vendndodhjet e çuditshme të Kikos. Majmuni është kthyer në atraksion tashmë dhe historitë rreth tij shpesh ekzagjerohen.

Së fundi ai preferon të shpenzojë kohën duke vjelë fruta në plantacionet e fshatit Çukë afër Sarandës.

Kiko u adoptua pak vite më parë kur u gjend i braktisur dhe në gjendje të keqe në një plazh pranë Borshit.

Rasti i çuditshëm ka pasur vështirësi në trajtim nga ana ligjore dhe askush ende nuk e di si do të jetë e ardhmja e Kikos por për momentin mbështetësit e lirisë së tij janë më të shumtë në numër se kundërshtarët.

Top Channel