Zjarret që kanë përfshirë pjese të tëra të Europës e nisën më shpejt këtë vit, po shkaktojnë më shumë dëme se më parë, e veç kësaj, është vënë re dhe një fenomen tjetër: ato po bëhen më të vështira për t’u shuar.
Shkencëtaret thonë se nëse nuk merren masa, ndryshimet e klimës që vijnë duke u intensifikuar, me gjasë do ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën në vitet në vazhdim.
Lufta kundër zjarreve pyjore në kontinentin e vjetër nuk ka qenë kurrë më e vështirë. Por, përse?
Rrënjët e problemit po kërkohen tek i ashtuquajturi eksod rural i kontinentit, që nisi në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur europianët u shpërngulën në qytete në kërkim të një jete më të mirë, duke lënë në mëshirën e fatit pas zona të mëdha rurale.
Kjo i ka bërë ato më të cënueshme. Zonat pyjore janë të mbushura me materiale të djegshme, tha Johann Goldammer, kreu i Qendrës Globale për Monitorim të Zjarrit, që është një organ këshillues i Kombeve të Bashkuara që në këto materiale përfshin trungjet e pemëve të kalbura, degët e rëna, gjethet dhe barin e tharë.
“Kjo është arsyeja pse ne kemi rrezik të paprecedentë nga zjarret e egra: sepse kurrë më parë në histori, të themi në 1 mijë apo 2 mijë vjetët e fundit, nuk ka pasur kaq shumë materiale të ndezshme përreth”, shprehet eksperti, sipas të cilit “peizazhi po bëhet shpërthyes” dhe mund të mjaftojë qoftë edhe një shkëndijë mjaft vogël zjarri për të nisur vatra të dhunshme flakësh.
Në Portugali, ku mbi 100 persona humbën jetën nga zjarret masive pyjore 5 vjet më parë, autoritetet pohuan se 62 për qind e zjarreve po ndodhin si pasojë e aktiviteteve bujqësore, siç është djegia e kashtës.
Top Channel