Zjarret e mëdha në Evropë, që kanë nisur të përhapur më herët gjatë këtij viti, janë bërë më të shpeshta, po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar.
Dhe shkencëtarët thonë se me gjasë zjarret do të bëhen edhe më të këqija, pasi ndryshimet klimatike do të intensifikohen nëse nuk ndërmerren masa.
Migrimi masiv i evropianëve nga fshatrat në qytete gjatë dekadave të fundit, ka lënë pas dore pyjet dhe i kanë lënë në mëshirë të thatësirave dhe valëve të të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në mes të ngrohjes globale. Dhe, një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një “ferr”.
Luftimi i zjarreve pyjore në Evropë kurrë nuk ka qenë më i vështirë. Në këtë tekst mund të kuptoni pse.
I ashtuquajturi eksod rural i kontinentit nisi në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, teksa evropianët u shpërngulën në qytete në kërkim të një jete më të mirë, dhe ky eksod ka lënë zona të mëdha rurale pas dore dhe i ka bërë të cenueshme.
Zonat pyjore janë të mbushura me materiale të djegshme, tha Johann Goldammer, kreu i Qendrës Globale për Monitorim të Zjarrit, që është një organ këshillues i Kombeve të Bashkuara. Në materiale të djegshme përfshihen trungjet e pemëve të kalbura, degët e rëna, gjethet dhe bari i tharë.
“Peizazhi po bëhet shpërthyes”, shtoi ai.
Pakujdesia me shkëndijat e vogla të zjarrit nganjëherë mjafton për të nxitur një zjarr të egër. Në Portugali, ku mbi 100 persona vdiqën nga zjarret e egra më 2017, autoritetet kanë deklaruar se 62 për qind e shpërthimeve të zjarrit po ndodhin si pasojë e aktiviteteve bujqësore, siç është djegia e kashtës.
Ndryshimet klimatike i kanë shtuar një dimension të ri dhe të frikshëm zjarreve të egra dhe i ka bërë ato edhe më kërcënuese.
Kjo është veçanërisht e vërtetë në Evropën jugore, ku shpeshtimi i kushteve të motit që shkaktojnë zjarre – temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e mëdha – i kanë bërë zjarret e egra gjatë verës “një normë të re”, tha Friederike Otto, ligjëruese e Shkencave Klimatike në Institutin Grantham për Ndryshime Klimatike në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Gjatë këtij muaji, nga Bashkimi Evropian theksuan se në pesë vjetët e fundit, blloku ka qenë dëshmitar i zjarreve të egra më intensive në histori dhe se thatësira aktuale e kontinentit mund të përkeqësohet. Sipas Kombeve të Bashkuara, rajoni i Mesdheut po nxehet 20 për qind më shpejt sesa mesatarja globale.
Statistikat e BE-së për zjarret e dëshmojnë këtë problem. Numri i fshatrave evropiane që janë djegur është mbi trefish më shumë gjatë këtij viti, me pothuajse 450.000 hektarë të djegur deri më 16 korrik, krahasuar me një mesatare prej 110.000 hektarësh në të njëjtët muaj gjatë periudhës 2006-2021.
Deri më 16 korrik, Evropa ka qenë dëshmitare e pothuajse 1.900 zjarreve të egra, krahasuar me një mesatare prej 470 zjarresh në vitet 2006-2021.
Thatësirat dhe valët e të nxehtit që lidhen me ndryshimet klimatike, kanë bërë më të vështirë luftimin e zjarreve të egra, pasi kushtet klimatike i bëjnë ato që të përhapen më shpejt. Shkencëtarët argumentojnë se ndryshimet klimatike do të vazhdojnë ta bëjnë motin edhe më ekstrem dhe zjarret e egra do të jenë më të shpeshta dhe më shkatërruese.
Kjo përfshin edhe të ashtuquajturat “megazjarre” – flakë aq të mëdha sa që praktikisht janë të pandalshme.
Evropa në luftë me zjarret
Problemet e Spanjës me zjarret e egra gjatë këtij viti nisën në fillim të pranverës, kur shteti regjistroi valën më të hershme të të nxehtit në dy dekada. Temperaturat në shumë qytete spanjolle arritën në mbi 40 gradë Celsius – temperatura që zakonisht regjistrohen në mes të verës.
Portugalia fqinje po ashtu regjistroi majin më të nxehtë në nëntë dekada, kur 97 për qind e tokës u klasifikua si thatësirë e madhe. Në Francë, po ashtu maji i këtij viti ishte më i nxehti në histori.
“Ne nuk do të jemi në gjendje të parandalojmë plotësisht zjarret e egra”, tha Otto nga Kolegji Mbretëror i Londrës. “Ne duhet të mësohemi të jetojmë me këtë”, shtoi ajo.
Shkencëtarët thonë se nuk ka vend për të humbur shpresën, pavarësisht pamjeve të tmerrshme të zjarreve dhe ngarkesës së shërbimeve të zjarrfikësve që po luftojnë me to.
“Kjo nuk është vepër e Zotit”, tha Otto teksa foli për intensifikimin e zjarreve të egra. “Kjo, në shkallë të madhe, është vepër e jona dhe ne kemi shumë fuqi që ta ndryshojmë këtë gjendje”.
Gjërat që mund të bëjmë për t’u përshtatur me situatën përfshijnë edhe dhënien fund të djegies së lëndëve fosile dhe edukimin e njerëzve për ngrohjen globale, tha ajo.
Menaxhimi i pyjeve gjithashtu duhet të rishikohet, tha Amila Meskin, këshilltare e politikave në Shoqatën Evropiane të Pyjeve, me seli në Bruksel. Kjo shoqatë përfaqëson kompanitë, ndërmarrjet dhe agjencitë qeveritare pyjore në 25 shtete evropiane.
Projekte, të tilla si skemat e ruajtjes së ujit, përzierja e specieve pyjore dhe restaurimi i moçaleve veçse kanë filluar të realizohen në disa shtete.
Megjithatë, efektet e këtyre projekteve nuk pritet që të shihen shumë shpejt. Planifikimi afatshkurtër në pylltari mund të zgjasë mbi 50 vjet dhe për një ndryshim fundamental do të duhen dekada.
Meskin tha se sheh një mungesë të përgjithshme të interesimit në punët rurale dhe shtoi se ka vërejtur që pylltaria nuk është një biznes mjaft i popullarizuar. Kjo situatë, sipas saj, duhet të ndryshojë.
Sipas Meskin, ndoshta shoku nga zjarret e egra do të nxisë një interesim të ri të publikut ndaj kujdesit të pyjeve.
“Është një gjë shumë emocionale të shohësh pyjet duke u djegur”, tha Meskin. “Është një situatë shumë, shumë e trishtueshme”./ Radio Evropa e Lirë.
Top Channel