Ukrainë-Rusi: Marrëveshje për eksportimin e drithërave

22/07/2022 11:49

Ukraina dhe Rusia bien dakord për një marrëveshje për eksportimin e drithërave. Ukraina është ndër furnizueset më të rëndësishme të drithërave në mbarë botën.

Sipas njoftimeve nga Turqia Rusia dhe Ukraina do të nënshkruajnë këtë të premte një marrëveshje për të rifilluar eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi. Zyra e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan tha se në ceremoninë e nënshkrimit në Ankara do të marrë pjesë gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres. Negociatorë nga Ukraina dhe Rusia kishin diskutuar javët e fundit në Stamboll modalitetet e eksportit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe të Turqisë.

Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit dhe të drithërave të tjera në botë, prandaj lufta në Ukrainë ka pasoja masive ndaj sigurisë për ushqime në mbarë botën. Bllokada e porteve ukrainase nga flota ruse e Detit të Zi gjatë luftës agresore ka bërë që çmimet e drithit të rriten ndjeshëm në mbarë botën dhe ka shkaktuar një krizë ushqimore.

Dhjetëra anije janë bllokuar dhe në magazinat dhe silotë e portit të Odesës presin të paktën 20 milionë tonë drithë për t’u eksportuar.

Ukraina është ndër furnizueset më të rëndësishme të drithërave në mbarë botën. Sipas shifrave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin më 2021 Ukraina zinte vendin e tretë si eksportuese e elbit dhe vendin e pestë për eksportin e grurit./DW

Top Channel